E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boshnjakët: Na pajisni me pasaportë

Boshnjakët e fshatrave Koxhas dhe Borake të Durrësit kanë kërkuar statusin e pakicës kombëtare dhe pajisjen e shpejtë me pasapaortën e Bosnjë-Hercegovinës. 

DURRES/ OERD ULQINI

Këtë kërkesë të veçantë, e cila do të hiqte barrierat e vizave me Bosnjën, ky komunitet ia ka bërë presidentit boshnjak, doktor Haris Silajdzic, i cili vizitoi Boraken dhe Koxhasin mesditën e së mërkurës. Në takim banorët e Koxhasit i deklaruan presidentit të tyre se ndihen të diskriminuar me faktin se nuk mund të lëvizin lirisht drejt atdheut të tyre, Bosnjë-Hercegovinës dhe kjo për arsye se u mungon dyshtetësia. Marrja e një vize për të parë të afërmit e tyre në Sarajevë apo gjetkë do të thotë peripeci pa fund dhe shpenzimin e shumë parave. Haris Silajdzic ka bërë një vizitë të papritur në fshatrat Borake dhe Koxhas, të cilët popullohen prej 133 vjetësh nga komuniteti boshnjak. Është hera e parë që nga krijimi i këtij shteti që një personalitet kaq i lartë viziton pakicën boshnjake në Durrës. Në takim u tha se, kjo etni me origjinë nga Bosnjë-Hercegovina është integruar plotësisht me jetën shqiptare dhe se ajo tashmë ka dy atdhe: Bosnjën dhe Shqipërinë. Boshnjakët i kërkuan presidentit Silajdzic të mundësojë marrjen e dyshtetësisë, në bazë të parimeve të të drejtave të njeriut në Evropën e Bashkuar. Pajisja me pasaportë boshnjake do të krijonte lehtësira të mëdha për lëvizjen drejt Bosnjës së këtij komuniteti, i cili deri tani i ka siguruar vizat me shumë mundime dhe me kosto tepër të larta financiare, shpeshherë duke udhëtuar drejt Shkupit ku ndodhet ambasada më e afërt e shtetit të martirizuar nga luftërat ballkanike. “Me shembjen e diktaturave Ballkani ka hyrë në një rrugë të re, ku aspiratat eurointegruese i kanë dhënë fund barbarisë dhe spastrimeve etnike. Kohërat e vështira të Ballkanit kanë kaluar. Periudha e izolimeve ka marrë fund përgjithmonë. Bosnja do të jetë gjithnjë përkrah jush dhe popullit mik shqiptar”, u shpreh Silajdzic. Ai premtoi se fëmijët e këtij minoriteti do të studiojnë me angazhimin e qeverisë boshnjake në universitetet e Sarajevës, të Mostarit etj.
“Kemi qenë të izoluar për shumë vjet, por tani ndjehemi më pranë se kurrë”, ka shtuar së fundi presidenti i Bosnjë-Hercegovinës. Komuniteti boshnjak u shpërngul në fshatrat Borake dhe Koxhas në vitin 1875, kohë kur gadishulli ynë po përjetonte një moment shumë të trazuar. Që prej asaj kohe, boshnjakët janë integruar plotësisht me popullin shqiptar, i cili i ka shtrirë në atë periudhë të vështirë dorën e miqësisë boshnjakëve të shpërngulur. Tashmë mes shqiptarëve dhe boshnjakëve ekzistojnë lidhje shumë të forta gjaku, kjo falë edhe krushqive të shumta që të dy palët kanë bërë në dekada. Në këtë takim boshnjakët e Durrësit i kërkuan presidentit Silajdzic që të përfitojnë nga statusi i pakicës kombëtare, ashtu siç gëzon në Shqipëri edhe minoriteti grek, serb, maqedonas dhe malazez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›