Mjekët e ardhshëm, specializohem në Shqipëri
Rreth shtatë studentë të mjekësisë që kanë mbaruar studimet për Mjekësi të Përgjithshme jashtë vendit, kanë kryer provimet për specializimet që ofron Fakulteti i Mjekësisë në vend. Ata i janë nënshtruar provimit njëlloj si studentët e tjerë të këtij fakulteti. Ndërkohë që pikët për të përllogaritur mesataren që kanë marrë nga provimet e dhëna jashtë vendit, janë llogaritur nga Ministria e Arsimit. Specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë llogaritur pikët e konvertuara nga nota mesatare. Të gjithë këta studentë kanë përzgjedhur sipas dëshirës specializimin që kanë dëshiruar, në bazë të kuotave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Tashmë priten vetëm rezultatet përfundimtare për të gjithë studentët që morën pjesë në konkursin për specializimet në mjekësi. Për këtë, Dekanati ka afishuar dy lista me përgjigjet e sakta, për të siguruar transparencë me studentët fitues dhe ata që nuk do të mund të kualifikohen. Kandidatët duhet të fitojnë gjithsej 1 mijë pikë, nga të cilat 300 janë të notës mesatare të shkollës së lartë dhe 700 të tjera janë të konkursit. Teza e provimit përmbanin 70 pyetje, ndërsa provimi zgjati rreth 90 minuta. Vlerësimi është bërë për çdo përgjigje të saktë vlerësohet me një pikë, çdo përgjigje e gabuar ndëshkohet me -0.5 pikë dhe 0 pikë për çdo përgjigje "nuk e di".Specializimet për mjekët ishin ndërprerë prej 3 vitesh, duke krijuar një domosdoshmëri për specialistë në spitalet e vendit. Studentët e Mjekësisë iu nënshtruan këtij konkursi, sipas proceduarave dhe kritereve të përcaktuara nga Fakulteti i Mjekësisë. Kështu, studentët e Fakultetit të Mjekësisë, për të kryer një specializim, pasi mbarojnë studimet e sistemit 5 vjeçar, duhet të kryejnë një vit stazh pune. Pas kryerjes së një vitit stazh pune atyre iu jepet e drejta për të aplikuar për kryerjen e specializimit. Sipas Kartës së Bolonjës specializimet pasuniversitare zgjasin 3 deri në 4 vjet dhe quhen cikli i 3-të i studimeve. Gjatë kohës së specializimeve aplikantët vazhdojnë studimet kundrejt një pagese që vendoset nga qendrat spitalore të pranimit ku kryhet praktika apo mësimi. Pasi mbarojnë studimet e sistemit 5 vjeçar, studentët e mjekësisë mund të kryejnë dhe titullin Master edhe pse nuk mund të kenë kryer studimet afatgjata pasuniversitare. Konkursi për këtë vit zhvillohet në datën 14 korrik dhe për një afat të caktuar nga Fakulteti i Mjekësisë, priten rezultatet. Për pranimin e kandidatëve, Fakulteti i Mjekësisë ka përcaktuar kriteret dhe procedurat që i çon ata në konkurrim.
20 Qershor 2008