Shërbimi stomatologjik, diskutim në Simpoziumin e dytë Shkencor
Kushtet e shërbimit stomatologjik në vend dhe premisat që ka për t’iu shërbyer në mënyrë profesionale pacientëve janë vënë në thelb të diskutimit të specialistëve. Kështu, në mjediset e Autoritetit Shëndetësor Rajonal në Tiranë, do të organizohet sot Simpoziumi i Dytë Shkencor i Shërbimit Stomatologjik publik.
Gjithçka është organizuar me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Shëndetësor Publik dhe drejtorive të shkollave të Tiranës. Në këtë simpozium pritet të diskutohet mbi situatën në këtë sektor dhe marrja e masave për të përmirësuar më tej këtë shërbim në shkollat e vendit. Po kështu, do të promovohet një fushatë edukuese për kujdesin ndaj higjienës së dhëmbëve te fëmijët nëpërmjet programit pesë vjeçar “Buzëqeshje e shndritshme, e ardhme e ndritshme”, e cila do të sjellë edhe më tepër një përmirësim të kësaj situate. Ky program ka dy vite që po zbatohet, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe kompaninë Colgate-Palmolive (ADRIA), ka zhvilluar një fushatë edukuese intensive për fëmijët e grupmoshës 7- 9 vjeç. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nga ana e saj, ka udhëzuar shkollat pjesëmarrëse në projekt që të zhvillohen veprimtari edukuese nga studentët e fakultetit të stomatologjisë të Universitetit të Tiranës. Programi “Buzëqeshje e shndritshme, e ardhme e ndritshme” është një program global i Kompanisë së Colgate-s, që ka nisur që prej vitit 1991 dhe në të janë përfshirë më shumë se 46 milionë fëmijë në 80 vende të botës si Rumani, Poloni, Serbi, Hungari, Austri, Gjermani, Greqi, Francë etj. Kjo kompani është e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si dhe nga shoqatat ndërkombëtare të stomatologjisë dhe Shoqatës Shqiptare të Stomatologjisë. Ndërkohë që në Shqipëri, po bëhen përpjekje për të përmirësuar shërbimin stomatologjik dhe për ta bërë pjesë të edukatës për të rinjtë, përkujdesjen ndaj dhëmbëve.
20 Qershor 2008