Rastet kur rrezikoni hemorragji cerebrale
Hemorragjia cerebrale njihet ndryshe nga populli edhe me fjalët i ra pika, ose i plasi gjaku në tru. Më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë njerëzit që kanë probleme me zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Për këta të sëmurë, mjekët rekomandojnë që të evitohet sa më shumë ekspozimi ndaj diellit, sidomos në orët më të nxehta të ditës, temperaturat e larta bëhen shkak për rritjen e presionit të gjakut. Hemorragjia cerebrale ose infarkti i trurit kryesisht ndodh në moshat mbi 60-vjeç, por njihen raste edhe në moshat e reja. Shenjat kryesore që i sëmuri paraqet janë: nuk flet (nuk mund të shqiptoj dot asnjë fjalë), ose nuk i kuptohen fjalët (belbëzon); Nuk lëviz gjymtyrët (dorën ose këmbën); Tërheqja e muskujve të fytyrës të asaj ane që nuk lëviz dorën ose këmbën; Urinon dhe defekton në mënyrë të pavullnetshme; Të dridhura të pjesshme ose në të gjithë trupin; Të vjella. Në këtë situatë nëse i sëmuri ka të vjella është mirë që të bëhet kthimi i kokës në anën e majtë me qëllim që të mos bllokohen rrugët e frymëmarrjes dhe të hiqen protezat kur ato janë. Kur i sëmuri ankon për të vjella, dhimbje koke, të dridhura, çrregullime të tensionit dhe të ritmit të zemrës, duhet patjetër të bëjë vizitë mjekësore për ti paraprirë paralizës. Të kontrollohet rregullisht tensioni tek të sëmurët me tension të lartë sidomos tek ata me trashëgimi familjare të sëmundjes dhe të mos abuzohet me mjekimin. Një mjekim i rregullt i tensionit të lartë të gjakut dhe i çrregullimeve të ritmit të zemrës do të parandalonte një situatë të tillë.
Rreziku
Kohët e fundit, një rrezik i madh për shëndetin është hemorragjia cerebrale. Femrat janë ato që preken më shpejt se meshkujt nga kjo sëmundje. Rreth 15 për qind e pacientëve janë nën 45-vjeç. Hemorragjia cerebrale quhet ndryshe, edhe infarkti i trurit. Ai vjen si rrjedhim i bllokimit të një arterie në tru, që pengon dhe qarkullimin e gjakut. Faktorët kryesorë që ndikojnë në avancimin e kësaj sëmundjeje kaq të rrezikshme te gratë janë: pirja e duhanit, mbipesha dhe migrena. Nëse këta faktorë do të përputheshin së bashku, rreziku për një hemorragji cerebrale do të ishte i dyfishtë dhe shumë i rrezikshëm për jetën, aq sa mund të themi vdekjeprurës. Në tri orët e para pas rënies së infarktit, kemi masën e shpejtë me medikamente. Në rastet kur pacienti nuk arrin të përmirësohet me medikamente, është i detyrueshëm një operacion urgjent. Afro 80 për qind e këtyre pacientëve nuk mbijetojnë më shumë se një javë. Ndërsa pacientët që arrijnë të mbijetojnë dhe të përmirësohen brenda 48 orëve, kanë shanse të mira për jetesë. Për të mënjanuar një sëmundje të tillë të rrezikshme, një kujdes i madh duhet treguar me ushqimin dhe sportin. Mënjanimi i lyrave si dhe ushtrimi i sportit është një domosdoshmëri, që rregullon cilësinë e jetës së njeriut.
Studimi
Studim mbi njohjen e mënyrave e reja për trajtimin e hemorragjisë cerebrale ka nxjerr në pah se kjo sëmundje është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve. Por në ç’mënyrë mund të parandalohet kjo sëmundje? Për përgjigjen e kësaj pyetje janë zhvilluar një seri studimesh dhe shumë prej tyre rekomandojnë ilaçe të ndryshme. Por pyetja që tani shtrohet është se sa njihen këto ilaçe e mënyra të reja nga personeli mjekësor në klinika e spitale. Në këtë kuadër, kohët e fundit u botua një analizë shkencore, e cila merr në shqyrtim mbi 400 studime të kryera mbi hemorragjinë cerebrale. Përfundimet e analizës lënë të kuptohet se personat e prekur nga hemorragjia cerebrale nuk kanë qenë në gjendje të marrin trajtimin e duhur mjekësor, pasi në shumë raste personeli mjekësor nuk ka dijeni rreth mënyrave të reja të efektshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Shkencëtarët shqyrtuan me kujdes afro 400 raste me hemorragji cerebrale dhe vunë re se në disa klinika pacientëve të moshuar u ishin mohuar ilaçe kundër koagulimit të gjakut që janë provuar si parandalues të efektshëm të hemorragjisë cerebrale tek personat që vuajnë nga aritmia e zemrës. Këto ilaçe nuk u jepeshin të moshuarve, pasi personeli mjekësor shqetësohej se ilaçi mund të shkaktonte hemorragji nëse pacienti padashje rrëzohej. Por kërkimet e hershme kanë treguar se ky lloj trajtimi nuk shkakton asnjë problem tek të moshuarit. Ekspertët thonë se të kesh ilaçin e të mos dish ta përdorësh është njësoj si të mos e kesh, prandaj u bëjnë thirrje mjekëve dhe të gjithë personelit mjekësorë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje arritjeve të reja në këtë fushë e t’i vënë ato në zbatim.
Simptomat
I sëmuri nuk flet, nuk mund të shqiptoj dot asnjë fjalë, ose nuk i kuptohen fjalët (belbëzon)
Nuk lëviz gjymtyrët dorën ose këmbën
Tërheqja e muskujve të fytyrës të asaj ane që nuk lëviz dorën ose këmbën
Urinon dhe defekton në mënyrë të pavullnetshme
Ka të dridhura të pjesshme ose në të gjithë trupin
Të rejat nga shkenca/ Studimi, qumështi zvogëlon rrezikun e gurit në veshka
Ndoshta keni dëgjuar se qumështi nxit formimin e gurit në veshka, megjithatë kjo nuk është e vërtetë. Hulumtimet shkencore nuk e kanë vërtetuar lidhjen që ekziston midis pirjes së qumështit dhe gurit në veshka. Sipas këtyre hulmutimeve, qumështi e zvogëlon rrezikun e formimit të gurit në veshka. Produktet ushqimore të cilat përmbajnë kalcium e zvogëlojnë absorbimin e oksalateve (substanca të pranishme në spinaq, çaj, çokollatë etj.). Oksalatet lidhen me kalciumin dhe në këtë mënyrë formohet oksalati i kalciumit, i cili e krijon gurin në veshka. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodh nga konsumimi qumështit, kanë treguar shkencëtarët.
Përgatiti: Jonida Tashi
20 Qershor 2008