E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kemi trefishuar numri i vizave me shumë kalime për Shqiptarët”

Intervistë me Ambasadorin Gjerman në Tiranë Bernd Borchardt

ENKELEJDA MEMA

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë zoti Bernd Borchardt në një intervistë për Vizion Plus shprehet se nuk ka ndonjë ndryshim të madh në dhënien e vizave për shqiptarët pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për lehtësimin e vizave me Bashkimin Europian por ai thotë se “në ambasadën gjermane është trefishuar numri i vizave me shumë kalime. Në këtë mënyrë sigurisht që bie numri i aplikimeve, sepse qytetarëve nuk u duhet të aplikojnë për një vizë për çdo udhëtim, por mund të udhëtojnë për një vit disa herë me të njëjtën vizë”. Megjithatë zoti Borchardt nuk nguron të shprehet se ka edhe refuzime të vizave dhe si motiv për këtë ai paraqet “dyshim për Visa- Shoping pra trafikun e vizave”.
Z. Ambasador a është rritur numri i dhënies se vizave dhe veçanërisht pas 1 qershorit kur ka hyrë në fuqi edhe marrëveshja për lehtësimin e procedurave të marrjes së një vize?
Numri i aplikimeve për vizë në ambasadën gjermane ka një luhatje në vite dhe në varësi të sezonit. Në këtë pikë unë nuk konstatoj ndonjë lidhje me marrëveshjen e lehtësimit të vizave. Ajo mund të çojë madje në një rënie të numrit të aplikimeve. Tashmë në ambasadën gjermane është trefishuar numri i vizave me shumë kalime p.sh. brenda një viti. Në këtë mënyrë sigurisht që bie numri i aplikimeve, sepse qytetarëve nuk u duhet të aplikojnë për një vizë për çdo udhëtim, por mund të udhëtojnë p.sh. për një vit disa herë me të njëjtën vizë. Aktualisht rreth 25 për qind e vizave të dhëna nga ne bëjnë pjesë në këtë kategori. Veç kësaj me marrëveshjen bie dhe numri i aplikimeve për vizë të personave të pajisur me pasaporta diplomatike. Edhe kjo ndikon në rënien e numrit të aplikimeve për vizë.
Cilat janë motivet e refuzimit të vizave?
Motivi më i rëndësishëm për refuzimin e vizave është ai që ne e quajmë dyshim për Visa- Shoping pra trafikun e vizave. Aplikues që në fakt duan të shkojnë në një vend tjetër Shengen, aplikojnë për vizë te ne. Këtë vizë ne nuk mund ta lëshojmë, pasi të tilla janë rregullat ndërmjet shteteve të Shengenit. Për ata që aplikojnë gabimisht nuk ka probleme. Ne i këshillojmë dhe i sugjerojmë të drejtohen pranë ambasadës së duhur. Por nëse dikush përpiqet të na mashtrojë lidhur me destinacionin e udhëtimit atëherë këtij personi i refuzojmë vizën dhe me një refuzim të tillë për t’u pajisur sërish me vizë pranë një ambasade tjetër aplikuesit do t’i duhet të paraqesë argumente shumë të mira. Prandaj unë do të këshilloja me ngulm të hiqet dorë nga të tilla përpjekje. Për fat të keq konstatojmë vazhdimisht të dhëna të gabuara ose dokumente të falsifikuara një tjetër arsye për refuzim. Gjithashtu shpesh ndeshim persona që figurojnë në regjistrat e policisë të ndonjë vendi Shengen ose njerëz të cilët në të kaluarën kanë abuzuar me vizën Shengen. Edhe në këto raste nuk mund të lëshojmë një vizë. Edhe pse kohët e fundit në media është spekuluar nuk ka lidhje direkte mes marrëveshjes për lehtësimin e vizave dhe numrit të refuzimeve. Numri i refuzimeve rezulton nga cilësia e aplikimeve të paraqitura. Me kënaqësi konstatoj se cilësia e këtyre aplikimeve është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit ndërkohë që numri i refuzimeve tona ka rënë dukshëm poshtë nivelit 24 për qind të vitit të kaluar. Unë supozoj se diskutimi i gjerë publik në lidhje me kushtet e dhënies së vizave të shteteve Shengen pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes u ka ardhur në ndihmë shumë njerëzve për të përmirësuar formën e aplikimit dhe për të mos dorëzuar aplikime të pashpresa.
Si janë marrëdhëniet e bashkëpunimit mes ambasadës dhe strukturave shtetërore shqiptare, si Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Integrimit, të cilat hartojnë politikat për lëvizjen e njerëzve?
Bashkëpunimi është i shkëlqyer. Në 20 vitet e fundit Gjermani ka dhënë një ndihmë prej mbi 700 milion euro në mbështetje të Shqipërisë. Në këtë mënyrë për ne gjermanët Shqipëria është vendi i cili që nga viti 1988 ka përfituar ndihmën më të madhe për frymë të popullsisë. Një pjesë e këtyre fondeve mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë liberalizimin e vizave. Së bashku me partnerët tanë austriakë në kuadrin e misionit të EURALIUS ofrojmë konsulencë për Shqipërinë në realizimin e reformës në drejtësi. Veç kësaj projekte të tjera ndihmojnë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën drejt heqjes së detyrimit të vizave. Kështu p.sh. nxitja e ekonomisë, prodhimi i energjisë, furnizimi me ujë bëjnë që ekonomia të ecë përpara e që gjithmonë e më shumë njerëz të mund të ndërtojnë një ekzistencë të sigurt në vendin e tyre. Në këtë mënyrë sigurohet dhe ana materiale për të udhëtuar si dhe rriten shkëmbimet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë e njëkohësisht edhe lëvizja e lirë.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›