E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Mjekësisë, “vjeshta e vogël” me 3 provime



Emanuela Sako

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë që kanë më tepër provime të mbartura se kuota e përcaktuar, do t’i rijapin ato në “vjeshtën e vogël”. Kështu, të gjithë studentët e Mjekësisë së Përgjithshme do t’i drejtohen auditorëve në pesë data provime, pasi koha para provimeve vjetore është e shkurtër. Në këtë mënyrë ata duhet të shlyejnë provimet e vitit të shkuar. Dekanati i këtij fakulteti ka vënë në dijeni të gjithë studentët që kanë provime të mbartura, duke i afishuar lajmërimin pranë fakultetit. Tashmë “vjeshta e vogël” është një mënyrë për të shpëtuar studentët nga përsëritja e vitit, në rastet kur kanë shumë provime dhe nuk i përmbushin kërkesat për t’u kualifikuar në vitin e ardhshëm akademik. Kjo është një praktikë pune e të gjithë fakulteteve të vendit, ku studentëve iu lihet një mundësi për të shlyer detyrimet që kanë ndaj rregullores së Ministrisë së Arsimit, për t’u kualifikuar për vitin tjetër akademik.
Provimet
Në një kohë kur studentët kanë marrë sezonin e provimeve për të shlyer vitin akademik 2007-2008, ka një pjesë të tyre që kanë provime të mbartura nga vitit i kaluar. Për këtë arsye, fakultetet me pëlqimin e Rektoratit iu japin mundësi studentëve, duke krijuar një mini-sezon përpara sezonit përfundimtar. Në këtë rast edhe Fakulteti i Mjekësisë iu ka dhënë të drejtën studentëve për të shlyer provimet e mbartura. Kështu, janë 5 data që janë vënë në dispozicion të studentëve për likuidimin e provimeve. Afati i dhënies së provimeve të mbartura janë datat 16, 17,18,19,20 qershor, në salla të caktuara, për të cilat studentët duhet të interesohen pranë sekretarisë së fakultetit. Sipas rregullores, nëse studentët nuk paraqiten atëherë provimi quhet i ngelur dhe në varësi të momentit se kur është dhënë më parë provimi dhe në cilin vit akademik është dhënë, varet edhe nëse studenti do të lejohet të vazhdojë vitin ose jo. Ndërsa për ata që kanë më shumë se pesë provime të ngelura, duhet që të paraqiten në sekretari për t’u njohur se cilët provime duhet të japin dhe datën e caktuar nga pedagogët.
Studentët
Të gjithë studentët, në të gjithë fakultetet e vendit, tashmë kanë marrë sezonin e provimeve. Studentët janë në fazën përgatitore për të dhënë provimet përfundimtare të lëndëve vjetore dhe semestrale. Si çdo vit, datat e provimeve përcaktohen nga pedagogët e lëndëve në varësi të kohës që kanë në dispozicion për të gjitha lëndët. Ndërkohë që, në shumicën e rasteve ndiqet një procedurë e tillë, që lëndët që janë më të vështira dhe kanë mbingarkesë kanë më tepër kohë përgatitore.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›