E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosi shqiptar drejtonte trafikun e kokainës Holandë-Itali

08/12/2008  Kur pyesnin për kohën trafikantët merrnin informacion për dërgesat

Policia italiane ka dhënë sqarime dje rreth një operacioni të madh antidroge që u ndërmor dje në veri të Italisë, ku u arrestuan 49 vetë, shumë prej të cilëve shqiptarë. Operacioni u ndërmor pas hetimeve të gjata 2-vjeçare, ndërsa organizata kriminale e shpërbërë, kishte degë të trafikut të saj të drogës edhe në Alsasë të Francës, Holandë, Zvicër, Gjermani e Shqipëri. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 25 kg kokainë. Sipas Prokurorisë së Milanos, në krye të kësaj bande, ishte një shqiptar me inicialet Z. N. me banim në Guaxante, i kërkuar për trafik droge edhe në Bazel të Zvicrës. Ai siguronte heroinën nga Shqipëria dhe kokainën nga Holanda, falë lidhjeve që kishte me bashkatdhetarë të tij. Kur merrnin në telefon nga Holanda, shpërndarësit e drogës pyesnin se si është koha, gjë e cila nuk u interesonte aspak, por në të vërtetë ata merrnin informacion nëse mund ta sillnin drogën në Itali. Koha e bukur pa shi do të thoshte rrugë të lirë për ta sjellë ngarkesën, ndërsa koha me re dhe shi nuk e mundësonte një gjë të tillë. Gjithashtu shqiptarët gjatë telefonatave mes tyre përdornin edhe të tjera kode kur përmendin dorën ose gishtin, ndërsa agjentëve të policisë u ishin dashur dy vjet për të kompletuar hetimin e trafikut të drogës dhe deshifrimin e këtyre kodeve, për shkak se në shumicën e rasteve ata flisnin shqip me njëri-tjetrin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›