E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet për pushime nga Greqia, masakrohet 28-vjeçari Erion Shuka



Policia dyshon se i riu është ekzekutuar për grabitje ose ndonjë konflikt të këtyre ditëve. Familjarët mohojnë që 28-vjeçari të ketë pasur konflikte

Kthehet nga Greqia për të kaluar pushimet e fundvitit në vendin e tij, masakrohet dhe hidhet i pajetë, i zhveshur, në një arë të pambjellë në afërsi të fshatit Moravë pranë Urës Vajgurore. Kufoma është gjetur nga një banor i fshatit Moravë në komunën Otllak të Beratit, i cili nuk ka ngurruar të njoftojë menjëherë uniformat blu të qytetit të Kuçovës. Policia është duke hetuar për vrasësin apo vrasësit e të riut, ndërkohë që familjarët shprehen se djali i tyre nuk kishte konflikt me askënd dhe se ishte emigrant i rregullt në Greqi. Trupi i pajetë dhe i masakruar i të riut Erion Shuka është gjetur në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga një kalimtar i rastit, i cili ka shtangur kur pa një trup të gjakosur, të zhveshur dhe të hedhur në anë të lumit Osum. I është afruar për të parë nëse e njihte viktimën dhe duke parë gjendjen në të cilën ndodhej kufoma e pajetë, e masakruar dhe me rrobat e hedhura disa metra më tutje, ka lajmëruar menjëherë policinë. Pas disa orësh këqyrjesh të kufomës dhe vendit të ngjarjes, policia ka arritur në identifikimin e tij. Bëhet fjalë për shtetasin Erion Shuka, 28 vjeç, emigrant, i cili kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer nga emigrimi. Shuka mësohet të jetë banor i lagjes Guri i Bardhë në qytetin e Urës Vajgurore.

Këqyrja

Sipas policisë, kufoma u gjet e masakruar dhe pa asnjë rrobë në trup. Më parë e kanë qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri. Vetëm 2 metra larg kufomës së pajetë, nga policia janë gjetur rrobat e trupit të të vrarit Erion Shuka, një bluzë trikotazh ngjyrë kafe dhe pak më larg një xhup po ngjyrë kafe. Në xhepin e brendshëm të xhupit është gjetur një telefon celular tip "Samsung" me ngjyrë të zezë, brenda të cilit ka qenë e paaktivizuar një kartë telefonike greke. Gjatë ekzaminimit të kufomës rezulton se personi mund të jetë vrarë pas mesnatës së datës 05.12.2008. Kjo bazohet edhe nga të dhënat e të afërmve të viktimës, prej të cilëve është mësuar se 28-vjeçari atë natë nuk ishte kthyer në shtëpi. Nga konkludimet paraprake të këqyrjes së kufomës, ekspertët kanë bërë të ditur se viktima është i moshës 28 vjeç, me trup mesatar, i gjatë 170 cm, me fytyrë të bardhë e pak të vrazhdë, flokë të zinj të prera shkurt, 1cm të gjatë, pak të rënë në dy anët e ballit, sytë ngjyrë kafe, dhëmbi i qenit i nofullës së poshtme është i rënë, të dhëna të cilat kanë ndihmuar në identifikimin e tij. Trupi i pajetë është çuar në morgun e spitalit rajonal të Beratit ku është verifikuar se Shuka është vrarë me një plumb armë zjarri pistoletë model 54, me vrimë hyrje në gjoks dhe vrimë dalje në anën e pasme të kurrizit. Në momentin e gjetjes se personit të vrarë, ai ka pasur të veshur këpucë ngjyrë kafe të sheshta dhe çorape ngjyrë kafe, me pantallona xhins ngjyrë blu dhe në trup ka të veshur një triko leshi me mëngë zhapone.

Hetimi

Pas identifikimit të kufomës së gjetur në mënyrë spontane nga banorë të fshatit Moravë, grupi hetimor ka nisur zbardhjen e kësaj ngjarje. Në spital kanë shkuar të afërm të viktimës dhe kur kanë parë trupin e të afërmit të tyre, e kanë njohur menjëherë. Po sipas hetimeve të deritanishme, është verifikuar se Erion Shuka ka qenë emigrant në shtetin e Greqisë dhe kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer prej andej për festat e fundvitit. Policia ka marrë në pyetje banorë të fshatit Moravë dhe të lagjes Guri i Bardhë të Urës Vajgurore, lidhur me të riun e gjetur të masakruar. Nga dëshmitë ka rezultuar se Shuka ka qenë person i rregullt, nuk ka pasur asnjë konflikt, të paktën për sa kohë ata e njohin. Duke u bazuar tek të dhënat e të afërmve se nga emigrimi 28-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer, policia po heton në pistën e grabitjes së viktimës nga persona të tjerë, të cilët pasi e kanë vjedhur, e kanë zhveshur, masakruar dhe më pas e kanë vrarë me armë zjarri. Ndërsa nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se ndoshta vrasja e Shukës ka ardhur si pasojë e ndonjë konflikti të mundshëm të lindur ditët e fundit, arsyet e së cilit nuk bëhen të ditura pasi janë ende në fazën fillestare të hetimit. Gjithashtu, policia në vendin e ngjarjes siguroi prova të lëvizjes së një mjeti që dyshohet të ketë qarkulluar në momentin e ngjarjes, por ende nuk dihet është ekzekutuar apo është transportuar pas ekzekutimit në vendin e ngjarjes. Deri në orët e vona të ditës së djeshme, policia ka ndaluar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje, pasi dyshohen se kanë gisht në këtë ngjarje të rëndë që çoi në eliminimin fizik të të riut 28-vjeçar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›