E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, sigurimi i tyre deri në fund të muajit

08/12/2008  Mungesa e kiteve dhe e reagentëve

Shërbimet që ofrohen në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” tashmë janë pajisur me medikamentet bazë të zhvillimit të aktiviteteve të përditshme. Por kundrejt këtij fakti shihet si shqetësuese mungesa e kiteve dhe e reagentëve. Megjithatë, drejtoresha e këtij spitali pohon se i “vetmi problem për QSUT-në mbetet ende problem lëvrimi i kontratave për kite dhe reagentë laboratorikë, që janë lidhur, por nuk kanë filluar të lëvrohen. Kjo ka shfaqur pengesa të shumta në kryerjen e ekzaminimeve të ndryshme, duke i detyruar pacientët të presin ose t’i sigurojnë ato në mënyrë private. Përkundrejt kësaj situate pohohet se edhe kjo pengesë do të marrë fund gjatë këtij muaji (dhjetor 2008), duke qenë se kontratat tashmë janë lidhur dhe pritet vetëm lëvrimi dhe sjellja e tyre në ambientet e pavijoneve përkatëse. Ndërkohë për aparaturat e ekzaminimeve, që janë në mungesë, pohohet se gjatë vitit të ardhshme do të sigurohet një tjetër numër i tyre, duke bërë të mundur që të mos krijohen më radhë të gjata dhe dyndje pacientësh për diagnostikimin e sëmundjeve. Një masë e tillë do të merret veçanërisht për ekzaminimet e shtrenjta, të cilat kanë dhe numrin më të lartë të vizitave që ndodhen në listat e pritjes, konkretisht ato të skanerit apo të rezonancës magnetike. Këto të fundit janë aparatura unike dhe në pjesën më të madhe të rasteve janë jashtë përdorimit pasi përballojnë një fluks të lartë pacientësh, ku më problematike situata mbetet për pacientët e rretheve. Aktualisht po procedohet me detajet e fundit të kalimit të spitaleve në skemën e sigurimeve, ku pa dyshim do të jetë dhe QSUT-ja. Kështu, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore do të bëhet blerësi i vetëm i shërbimeve në spitale, duke synuar kështu rritjen e cilësisë së shërbimeve kundrejt pacientëve. Gjithashtu janë lidhur kontratat dhe me 42 spitalet që do të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›