E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënia e madhe e Prishtinës

Edhe pse dominoi në pjesën më të madhe të kampionatit, Prishtina mori tatëpjetën në javët vendimtare, duke i lëshuar nga duart dy trofe. Trajneri i bardhekatërve, Ramiz Krasniqi thotë se mohimi i titullit të kampionit nga gjyqtarët, i ka dëshpëruar futbollistët prishtinas, që u kushtoi edhe me humbje në finale të Kupës. Nga Valon Konushevci më 07 qershor 2011 në ora 11:16

Prishtina e nisi shumë mirë sezonin 2010/2011. Në pjesën më të madhe të këtij kampionatit, qëndruan në vendin e parë. Prishtinasit të fortë u treguan edhe në garat për Kupën e Kosovës, duke mbërritur deri në finale.

Por, ekipi i udhëhequr nga trajneri Ramiz Krasniqi mori tatëpjetën në edicionin pranveror, përkatësisht në etapën e tretë të garave kampionale.

Fillimisht, kryeqytetasit humbën kryesimin në Superligë, edhe pse kishin nëntë pikë më shumë sesa Hysi. Tani, ky i fundit avancon në vendin e parë të renditjes, madje me katër pikë më shumë sesa Prishtina - dy xhiro pa përfunduar ky edicion.

Kështu, bardhekaltrit thuajse i kanë humbur të gjitha gjasat për t’u stolisur me titull të kampionit, afër të cilit trofe, gjendet Hysi. Por, tatëpjeta e Prishtinës nuk u ndal këtu. Kjo skuadër u mposht të dielën nga Besa edhe në finalen e Kupës së Kosovës.

Në këtë mënyrë, skuadra e famshme kosovare edhe sivjet mbeti duarthatë, edhe kjo shpejt pritet të konfirmohet. Për këtë është i vetëdijshëm edhe Ramiz Krasniqi, i cili për këtë rënie të madhe të ekipit të tij, fajin ua hedh posaçërisht gjyqtarëve të ndeshjeve, të cilët i akuzon se e ndihmuan Hysin për t’u bërë kampion, e njëkohësisht e dëmtuan ekipin e tij.

“Ishim duke luftuar në dy frone dhe ishim afër t’i arrijmë dy trofetë. Por, kjo që na ndodhi rrallë, ndodh në futboll. Të jem i sinqertë. Dy pjesët e para të kampionatit kishin rrjedhë më normale. Por, në etapën e tretë ndodhi çka ndodhi. U punua shumë në dëm tonin dhe në favor të Hysit. Ndeshjet jashtë etikës së futbollit u konfirmuan me dënimin e gjyqtarit, Muhedin Ferati, por me vonesë”, deklaroi Krasniqi për Express.

Kështu, sipas Krasniqit, djelmoshave të tij ua humbën djersën njerëz të ligj, për të cilët thotë se nuk kanë vend në futboll. Ai tregon se futbollistët e tij, duke i parë padrejtësitë që ua bënin, kishin dashur t’i bojkotojnë në shenjë proteste ndeshjet e fundit të kampionatit. Por, atyre mendjen ua kishte ndryshuar vetë Krasniqi dhe Kryesia e klubit.

Në këtë mënyrë, ai pohon se djelmoshat e tij u dëshpëruan shumë, pikërisht në prag të finales së Kupës së Kosovë, me ç’rast kjo u kushtoi me disfatë nga Besa (2:1).

“Finalja e Kupës ishte shumë e mirë dhe korrekte. Besa fitoi me meritë. Gjyqtarët treguan referim modern – evropian. Komplimente për ta. Te futbollistët e mi kishte ndikuar shumë ai dëshpërimi nga ato ngjarje të mëparshme. Atyre, faktorët e jashtëm ua shkelën djersën dhe ua humbën pozitën e parë në tabelë, të cilën sivjet nuk e ka merituar askush para tyre”, tha ai.

“Në klubet tona nuk ka psikologë, të cilët e rikthejnë atmosferën e mirë në ekip, kur eventualisht ajo bie. Te ne kjo ndodhi dhe kështu e humbëm edhe rastin për ta fituar të paktën këtë trofe”, theksoi Krasniqi.

Mirëpo, lojtarët prishtinas kohëve të fundit kishin probleme me Kryesinë e klubit edhe rreth pagave. Normalisht, Krasniqi pohon se edhe vonesa e dhënies së pagave ka ndikuar te djelmoshat e tij që ende më shumë t’u humbë motivi.

Përndryshe, ai shpreh dashuri të madhe për lojtarët e tij. “Gjatë gjithë stinorit ishin shumë të mirë në çdo aspekt. Ky ekip është shumë cilësor. Po ashtu, i kemi disa lojtarë juniorë tepër cilësorë. Prishtina e ka një bazë të fortë dhe premtuese për të ardhmen, por duhet të kemi kushte normale për veprim”, përfundoi Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›