E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnje, ekstradohet 38-vjeçarja e dyshuar për krime lufte

Autoritetet e Bosnjes kanë bërë me dije se është bërë i mundur ekstradimi nga Shtetet e Bashkuara i një gruaje, e përkatësisë myslimane të Bosnjës, e cila akuzohet për vrasjen e civilëve kroatë gjatë konfliktit të viteve të 90-të.

Zyra e prokurorit tha se 38-vjeçarja Rasema Handanoviç ka mbërritur në Bosnjë dhe do të paraqitet të mërkurën para gjykatësve.

Ekstradimi i Handanoviç vjen një javë pasi SHBA dorëzuan shokun e saj, Edin Xhekon, i cili po ashtu akuzohet se ka marrë pjesë në të njëjtat vrasje.

Që të dy dyshohet se i përkasin një njësie të armatës boshnjake, që ka sulmuar fshatin Trusina të Bosnjes, në vitin 1993, duke lënë të vrarë 18 civilë.

Dëshmitarët thanë se ajo vetë kishte qëlluar viktimat në kokë.

Handanoviç deri tani jetonte në Beverton të Oregonit dhe është arrestuar në muajin prill, me kërkesë të autoriteteve boshnjake.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›