E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosnjë, frikë nga një tjetër konflikt etnik

Trembëdhjetë vjet pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmjetësuan marrëveshjen e paqes, që u dha fund përplasjeve të egra etnike në ish-Jugosllavi, po shfaqet në skenë frika se Bosnja, e varfër dhe e përçarë, po i drejtohet edhe një herë krizës. Në pamje të jashtme, vendi ku vërehen ende shenjat e luftës duket sikur po ringjallet. Profesionistët e rinj mbushin kafenetë e bukura e psonisin në dyqane me produkte moderne, ndërsa hoxhët këndojnë lutjen e mëngjesit. Fantazma e Srebrenicës vërtitet ende - masakra më e madhe në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore - por qytetarët e Sarajevës parapëlqejnë më shumë të flasin mbi Presidentin e ri amerikan, apo krizën financiare globale.

Ndërkaq, për herë të parë gjatë këtyre viteve, po dëgjohen biseda mbi rrezikun e një lufte të re për shkak të dasive etnike në Bosnjë, ish-republika Jugosllave që Marrëveshja e Dejtonit e ndau në dy etnitete, një Federatë Myslimane-Kroate dhe një Republikë Serbe. Ndarja e pushteteve mes përfaqësuesve të popullatave me etni të ndryshme ka qenë gjithnjë e tendosur. Ndërkohë që tani paqja e trazuar është komplikuar prej deklaratës së pavarësisë nga ana e Kosovës, gjë që ka nxjerrë në skenë shqetësimin se Republika Serbe mund të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë, duke e tërhequr rajonin në një konflikt me pasoja të tmerrshme.

"Është çasti t‘i kushtojmë përsëri vëmendje Bosnjës, nëse nuk duam që gjërat të marrin për keq me shpejtësi", paralajmëroi në një letër të hapur Riçard Holbruk (të publikuar në disa gazeta), zyrtari i administratës "Klinton", i cili ndërmjetësoi palët në arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit, bashkë me Pedi Eshdaun, ish-diplomatin perëndimor me rang më të lartë në Bosnjë. "Tani gjithë bota e di çmimin e konfliktit".

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e nënshkruar në nëntorin e vitit 1995, e arriti qëllimin duke i dhënë fund një konflikti të egër përgjatë të cilit gjetën vdekjen rreth 100 mijë njerëz, më së shumti të besimit mysliman. 1 milion myslimanë, serbë e kroatë u detyruan të linin shtëpitë, ndërkohë që pjesa më e madhe e infrastrukturës së vendit u shkatërrua. Por sistemi politik i përcaktuar në Dejton i fshehu, në vend që t‘i shëronte dasitë etnike. Edhe në ato komunitete ku serbët, myslimanët e kroatët jetojnë pranë njëri-tjetrit, disa pranojnë t‘i dërgojnë fëmijët në të njëjtat shkolla, por në orare të ndryshme. Liderët e vendit janë aq të zënë në betejat kundër njëri-tjetrit, sa po e pengojnë Bosnjën të shënojë progrese.

Bosnja, e cila që nga viti 1995 ka marrë më shumë se 18 miliardë në formë ndihme nga jashtë, mbetet ende nën mbikëqyrjen e Perëndimit. Siguria e saj garantohet nga 2 mijë trupa paqeruajtëse të Bashkimit Evropian.

Në një skicë të atij që mund të qe rasti më i keq, Sreçko Latal, një specialist në Rrjetin Investigativ për Ballkanin, me seli në Sarajevë, paralajmëroi që nëse Republika serbe do të shpallte pavarësinë, Kroacia do të përgjigjej duke dërguar trupa, ndërsa myslimanët e Bosnjës do rrëmbenin armët. Nëse kryeqyteti i Republikës Serbe, Banja Luka, do të binte, Serbia do të ndihej e provokuar e do përfshihej në konflikt, duke bërë më se të mundur degjenerimin në një luftë rajonale. "Për herë të parë në vite njerëzit po flasin për luftë, tha Latal. Janë të lodhur nga lufta e nuk e duan, por është përtej mundësive të tyre për ta mbajtur larg".

Liderë të ndryshëm boshnjakë kanë nënvizuar shpresat që Obama do përfshihet më shumë në çështjen e Bosnjës nga sa qe Presidenti Bush, duke e vënë theksin te bekgraundi multikulturor i Presidentit të sapozgjedhur, fakt që mund ta bëjë atë njeriun ideal për të negociuar me palët boshnjake. Të shumtë janë edhe ata që shpresojnë se Hilari Klinton do vazhdojë trashëgiminë e të shoqit në Bosnjë, pavarësisht gafës së saj gjatë fushatës presidenciale, ku rrëfeu se në Bosnjë qe gjendur nën zjarrin e snajperëve.

Mundësitë e vendosjes së një stabiliteti të qëndrueshëm në Bosnjë, thonë analistët, do të shtoheshin ndjeshëm në rast se vendi do bëhej pjesë e Bashkimit Evropian. Por progresi i deritanishëm nuk ka qenë kurajues. Një raport i Komisionit Evropian, i bërë publik gjatë muajit nëntor, vërente se "retorika e dëmshme etnike ka prekur funksionalitetin e institucioneve dhe ka ngadalësuar zhvillimin e reformave", ndërkohë që korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten në nivele shqetësuese.

Komuniteti ndërkombëtar është aq i shqetësuar për stabilitetin e Bosnjës, sa Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka zgjatur mandatin e të dërguarit të vet të posaçëm në Bosnjë. Miroslav Lajcak, i dërguari në fjalë, vërejti në një intervistë që, megjithëse situata është kritike, fakti se politika boshnjake e trumbeton çështjen e sigurisë si më të rëndësishme, duhet konsideruar si një zhvillim shumë pozitiv. "Situata politike është e vështirë, e paqëndrueshme dhe rrezikshme, por nuk po cenon drejtpërdrejt sigurinë, tha ai. Dhuna nuk mund të përjashtohet, por unë nuk shoh rrezik për shpërthimin e një lufte të mirëfilltë".

Liderët e të gjitha etnive thonë se progresi do mund të vijë vetëm në rast se hiqet dorë nga struktura qeverisëse e përcaktuar përmes Marrëveshjes së Dejtonit. Dy etnitetet kanë parlamentet përkatës dhe numërohen 10 autoritete rajonale, secili me sistemin përkatës shkollor, shëndetësor e gjyqësor, si dhe me forcat e veta të rendit.

Rezultati i gjithë këtij mishmashi është një sistem bizantin qeverisës i drejtuar nga 160 ministra, një strukturë që, sipas të dhënave të Bankës Botërore, thith 50 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›