E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Veliaj: Të ikin nga jeta publike ish-sekretarët e partisë

Drejtuesi i G99-s argumenton përmbajtjen e ligjit. Kjo lëvizje ka gati edhe amendimet

TIRANË- G99-a ka gati amendimin për draftin që ka si qëllim hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse sot Kuvendi nuk do të mund të votojë projektligjin në fjalë, G99-a do të depozitojë pranë kryesisë së Kuvendit një draft të saj, ku do të kërkohet papajtueshmëria me funksionet që mbajnë për të gjithë ata, që, në sistemin e shkuar, kanë qenë sekretarë partie, ku një ndër ta, rezulton të ketë qenë edhe Kryeministri

Sali Berisha. Erion Veliaj, drejtuesi i G99-s, në një intervistë për “Shekulli”-n, argumenton edhe arsyet se pse duhet përfshirë një kategori e tillë.

Z. Veliaj, ç’mendoni për projektligjin e hapjes së dosjeve dhe spiunëve?

G99-a përfaqëson një gjeneratë të shqiptarëve të rinj, të pakompleksuar nga e kaluara e vendit tonë. Dosjet duhet të hapen, sa më shpejt, sot, tani mundësisht, madje jemi vonë. Vendet e tjera të Lindjes e kryen këtë proces gjatë viteve ‘90. Kjo lloj transparence e shëron një komb, e vërteta dhe drejtësia duhet të ecin bashkë. I vetmi problem që kemi, është mënyra selektive e veprimit të ligjit. Një spiun i rëndomtë kooperative fshati, penalizohet nga jeta publike, kurse një sekretar partie sot, mund të jetë dhe Kryeministër i vendit. Kjo është një anomali e këtij projektligji, e cila bëhet jo pa qëllim.

Si mund të rregullohet kjo anomali?

G99-a ka përgatitur një amendim të ligjit, i cili krahas bashkëpunëtoreve të sigurimit ndalon nga jeta publike dhe sekretaret e Partisë së Punës. Le të mos bëhemi naivë. Shpesh spiunët rekrutoheshin nën presion – siç kanë dëshmuar me të drejtë dhe shumë politikanë të PD-së, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ama, një sekretar partie nuk rekrutohej me dhunë. Përkundrazi, ata ofroheshin vullnetarisht me zell militant për të avancuar në karriere, në PPSH. Ndaj, si mund të kemi një ligj, i cili dënon “bashkëpunëtorët e detyruar”, por përjashton “bashkëpunëtorët vullnetarë”?

I referoheni këtu zotit Berisha, apo funksionarëve të tjerë sot në politikë?

Jo, këtu i referohemi parimit të barazisë së ligjit për të gjithë. Nëse zoti Berisha ka probleme me ketë amendim, ky është problemi i tij, jo i të rinjve shqiptarë. Këtë duhet ta kishte menduar përpara se të bëhej me zgjedhjen e tij të lirë një sekretar partie, dhe ta kishte menduar dyfish përpara se të ‘vidhte’ revolucionin për përmbysjen e partisë së tij të Punës. Shqiptarët e mijëvjeçarit të ri s’mund të mbeten peng të shqiptarëve të mijëvjeçarit të shkuar.

Pra, ky amendament, me këtë logjikë, do ta shkarkonte Berishën nga Kryeministër?

Sërish, ky është problemi i tij, jo yni. Berisha mund të ndryshojë argumentet, siç po bën me këtë ligj. Por ai s’mund të ndryshojë faktet. Nëse faktet e inkriminojnë dhe ligji zbatohet, atëherë po, ai s’do qe më Kryeministër i vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›