Shqipëria, "Vendi i harruar i Evropës"
"A je burrë i fortë?" i drejtohet një malësor. Ndërsa e përshëndet, i drejton tytën e pushkës që mban në krahë, por e ul përsëri atë. Qëllimi nuk është të frikësojë të huajin, në fakt, është një përshëndetje që përdorej rëndom në Veri të Shqipërisë. Menjëherë pas kësaj, burri nga Veriu e drejton mikun, të huajin për në shtëpi. Ai, Hugo Adolf Bernatzik, ndryshe nga sa kishte menduar, vë re se mikpritja është një nga tiparet thelbësore që i karakterizon shqiptarët. Në emër të kësaj vlere, ata, shqiptarët, sillen në një mënyrë shumë të lartë. Në konakët e veriorëve, ai vë re armët, një element gjithnjë i pranishëm për këtë zonë të Shqipërisë, e cila dallon nga pjesa tjetër jugore, sa i takon këtij mentaliteti të fortë dhe të ashpër. "Marrja e gjakut është një fenomen i përhapur jo pak në zonën e Veriut. Për këtë arsye ata mbajnë armë. Larjen e gjakut nuk e shpaguan asnjë vlerë monetare dhe nuk e vendos në vend asnjë ligj që vepron në këtë vend. Nderi i tyre është një çështje shumë delikate. Nderi nuk njeh liri apo mirëkuptim perëndimor, nuk shlyhet me asnjë çmim dhe shqiptarët nuk lejojnë që gjaku të lahet në ndonjë mënyrë tjetër, veçse duke ‘marrë gjak‘. Ndryshe nga gratë e Jugut apo të Shqipërisë së Mesme, gratë veriore nuk mbajnë perçe, nuk mbulohen. Ato janë po aq luftarake dhe punëtore, porsi burrat", shënon mes të tjerash etnologu austriak Hugo Adolf Bernatzik. Por ky nuk është veçse një prej përshkrimeve që ai ka lënë në botimin "Vendi i harruar i Evropës", të cilin e publikoi në vitin 1930. Në 63 faqet ku "përmblidhet" Shqipëria e kohës, nuk mungojnë as imazhet shoqëruese. "Vendi i harruar i Evropës", përpos fjalëve, përcillet përmes një albumi fotosh të rralla. 105 të tilla. Nga Veriu në Jug, ato na prezantojnë me Shqipërinë e atyre viteve. Gjen aty traditën, zakonet, ritet fetare, një përshkrim të veshjeve të burrave, grave dhe fëmijëve gjithashtu, nuk mungon as përshkrimi i natyrës shqiptare. Janë 105 fotografi të shkrepura rreth 78 vjet më parë, imazhe të cilat përcjellin jo vetëm eksperiencën e tij si një mjeshtër fotografie, por mbi të gjitha ato vijnë si një dokumentacion i vyer etnologjik. Këto dëshmi të jetës së shqiptarëve bëhen të ditura falë profesorit të letërsisë gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, Jurgen Rohling. "Vendi i harruar i Evropës" është pjesë e koleksionit të tij privat, me libra kushtuar Shqipërisë. Për herë të parë, të dhëna prej librit dhe disa prej fotografive botohen në gazetën "Shqip". Publikimet shkencore të etnologut austriak Hugo Adolf Bernatzik gjithnjë janë shoqëruar nëpërmjet fotografive mbresëlënëse. Ai udhëtoi shumë dhe shkroi shumë. Dashuroi çdo vend dhe çdo popull që njohu. Në Evropë, Azi e Afrikë, ai synoi të pasqyronte më të mirën e atyre popujve që vendet perëndimore i konsideronin të egra, të frikshme e të pa vizitueshme. Ai ishte një udhëtar të cilit gjithçka i zgjonte kureshtje. Prej tij, kupton se e bukura ekziston kudo dhe në çdo kohë. I lindur në vitin 1897, Hugo A. Bernatzik la pas dëshmi të rëndësishme për vendet ku shkoi. Njësoj ndodhi edhe me Shqipërinë. H. A. Bernatzik, për herë e vizitoi vendin tonë, në vitin 1915. Atëherë kishte përfunduar studimet në Universitetin e Vjenës për mjekësi. Në Shqipëri, erdhi si vullnetar në shërbim të ushtrisë austriake. Ky vend duket se e joshte përtej gojëdhënave.
I harruar, i panjohur, apo i lënë aty në dëshpërimin e vet me kast? Çfarë ishte Shqipëria në sytë e këtij etnologu kureshtar? Në krye të këtij libri, Bernatzik shënon: "Do të doja të shkruaja me gjithë zemër, që nuk është aspak e vërtetë se Shqipëria nuk është vendi i rreziqeve dhe i kaçakëve (hajdutëve). Nuk është gjithashtu e vërtetë që kjo Shqipëri është e ndarë në dy shtresa, në proletarin inteligjent që i qeveris dhe në pjesën tjetër, atë më të madhe, që është në errësirë, padituri dhe të mbrapshtë. Dhe është më pak e vërtetë që në këtë vend mbizotërojnë veç pyje dhe këneta të rralla të një bote të egër, ashtu siç është përshkruar më parë, për këtë pjesë të Evropës. E vërteta është shumë më shumë...", shkruan ai. Që në krye, ai i tregon botës perëndimore, atyre që Shqipërinë e konsideronin veçse një vend për aventurat e tyre ekstravagante, se aty gjen shenja dhe elemente që tregojnë për një kulturë shumë të largët e të lashtë. "Shqipëria është aty ku është prej shekujsh, si e tillë, ajo ka një kulturë po kaq të lashtë. Paraardhësit e shqiptarëve, të cilët janë një popull i papërzierë me të tjerët, rezultojnë të jenë vendosur në këto troje para helenëve", shënon ai në vëllimin kushtuar Shqipërisë. Ndër të tjera, Bernatzik thekson se në Veri, në malet e kësaj pjese të Shqipërisë, ruhen akoma zakonet indogjermane. "Kurse në Jug të Shqipërisë, janë më të përhapura zakonet e Lindjes, të cilat parashikohen që të përfshijnë dhe pjesën tjetër të Veriut, në një kohë kur të mos ketë më ndarje të theksuara mes këtyre dy zonave", vë re ai.
Bernatzik nuk lë pa përmendur popullsinë, përbërjen e saj, si dhe gjuhën. "Në hapësirën e saj të vogël, Shqipëria është e përzierë si popull. Shkencërisht, populli shqiptar është i ndarë në dy popuj krahinorë, gegët dhe toskët, të cilët flasin në dialekte shumë të vështirë për t‘u kuptuar nga njëri-tjetri. Por, mes këtyre grupeve autoktonë, jetojnë edhe popuj të tjerë, të cilët ruajnë secili zakonet e tyre si: rumunë, bullgarë, grekë, sllavë, romë etj. Si në çdo vend tjetër, edhe në Shqipëri, ciganët janë shumë të përhapur. Ata nuk dihet se ku jetojnë sepse siç edhe dihet, lëvizin në mënyrë të vazhdueshme", komenton etnologu. Gjeografia është një tjetër temë që ai ka shtjelluar në "Vendi i harruar i Evropës". Sipas vëzhgimeve të Bernatzik, Shqipëria është një vend strategjik nga ana gjeografike. Ajo karakterizohet nga të gjitha vijëzimet gjeografike, male, fusha e dete. "Si e tillë, të gjitha këto elemente krijojnë një panoramë të bukur natyrore. Pjesët e larta të relievit janë të përqendruara në zonën e Veriut, megjithëse nuk mungojnë as në Jug të Shqipërisë. Por, kryesisht në pjesën e qendrës, apo të mesme të këtij shteti, duke u shtrirë edhe në jug, shtrihen fusha të gjera, të cilat punohen prej fshatarëve të zonave. Ndërkaq, ky reliev ka bërë që në këtë vend të spikatë prezenca shumëllojshmërisë së kafshëve si ujore dhe ato që jetojnë në tokë. Ajo që më bëri mua përshtypje në mënyrë të vazhdueshme gjatë udhëtimit tim, ishin prezenca e pelikanëve të bardhë në afërsi të lagunave, çka krijonin idenë e një vendi të qetë dhe të njerëzve të pastër, ashtu siç unë njoha shumë gjatë këtij udhëtimi nëpër Shqipëri", shprehet ai.
Gjatë ekspeditave të tij të shumta, Hugo Adolf Bernatzik gjithnjë është munduar që nëpërmjet fotografive, nëpërmjet gjuhës së imazheve, të përkthejë esencën e vendeve ku ka shkuar dhe popujt me të cilët është njohur. Ai adhuron të fotografojë. Stili i tij është gati-gati kinematografik. Ritualet, traditat, zakonet, gjeografinë, veshjen, kulturën e popujve që ka vizituar e ka përcjellë gjithnjë nëpërmjet fotografive. Me sy të kujdesshëm ka vëzhguar gjithçka me të cilën është përballur. Jep më të mirën e mundshme për të përcjellë gjithçka, ashtu siç e ka parë. Nëpërmjet fotografive të tij është e pamundur të mos bëhesh pjesë e udhëtimeve dhe njerëzve që ai ka takuar, të mos bëhesh pjesë e gjurmës së kohës, të atyre shkrepjeve fatlume të cilat prezantuan Shqipërinë, "Vendin e harruar të Evropës" me pjesën tjetër të qytetërimit evropian. Objektivi i tij ka fotografuar valltarë me veshjet e bukura tradicionale në festën e Kishës në Shëngjin, po aty, ka fotografuar fshehtas një vajzë të re, e cila nuk lejonte kundrejt asnjë çmimi të fotografohej. U largua nga Bernatzik dhe doli në ballkon. Ai arriti ta fotografonte, për së largu, i fshehur diku larg syve të saj. Gjithnjë i pranishëm në festat e organizuara në zonat ku shkoi, Bernatzik fotografoi gra duke kërcyer jo vetëm vallet tradicionale shqiptare, por edhe ato që vallëzonin kërcimin turk të belit. Nuk mungojnë në imazhet e "Vendit të harruar" edhe malësorët me veshjet tradicionale. Atij i ka bërë përshtypje që edhe fëmijët në këtë zonë mbajnë të njëjtat veshje si edhe të rriturit. Dasma malësore është një tjetër fotografi që dëshmon zakonet e kohës. Nusja është e gjitha e mbuluar. Ajo drejtohet për te dhëndri nga një shoqëruese. Një tjetër foto dasme, tregon dhëndrin i cili, ashtu siç e do zakoni, zbulon fytyrën e nuses përpara prindërve. Në praninë e këtyre të fundit, ai për herë të parë prezantohet me bashkëshorten. Gjen në këto foto edhe shqiptarë nga Kosova të ardhur në Shqipëri. Ajo është një grua që ndërsa tjerr leshin, në të njëjtën kohë tund me këmbë djepin ku fle foshnja. Ciganët në Shqipëri kanë qenë gjithashtu në qendër të objektivit të tij. Në Elbasan, ai ka fiksuar në fotografi një kërcim ciganesh. Gratë kërcejnë një valle dyshe, sipas muzikës turke. E as Tirana nuk mund të mungojë në këtë përshkrim të Shqipërisë nëpërmjet fotove. Bernatzik ka sjellë në fotografi një çift gjatë ditës së pazarit që zhvillohej në Tiranën e atyre viteve. Por ka edhe shumë të tjera akoma. Austriaku Adolf Hugo Bernatzik ishte etnolog, shkrimtar udhëtimesh, fotograf dhe themelues i disiplinës së etnologjisë së aplikuar. Ai lindi në 1897-ën dhe ndërroi jetë në vitin 1953. Bernatzik studioi mjekësi në Universitetin e Vjenës, më vonë studioi filozofi po në të njëjtin universitet. Në vitin 1932, mbron doktoraturën. Nga viti 1939, ai nis të japë mësim në Universitetin e Gracit. Thuhet se ka aderuar edhe në partinë naziste, duke përfituar prej saj financimet për ekspeditat e tij të shumta. Bernatzik ndërmori mjaft udhëtime. Ashtu sikundër udhëtoi dhe pasqyroi jetën e shqiptarëve, Bernatzik, udhëtoi jo vetëm nëpër vende të Evropës, por deri edhe në Afrikë e Azi. Etnologu Hugo Adolf Bernatzik ndërroi jetë në Afrikën e veriut në moshën 56-vjeçare.