E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët, Patozi: Drafti miratohet sot në Kuvend

Përpos nxitimit të PD-së për të kaluar draftin, aleatët janë të dyzuar. PDK-ja kërkon ndryshime, PBDNJ-ja jep votën kundër, ndërsa PR-ja vendos sot

TIRANË- Partia Demokratike do të tentojë të kalojë sot me votat e saj draftin, “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, ka përjashtuar dje çdo mundësi negocimi të mëtejshëm për këtë draft, duke theksuar se projektligji do të miratohet sot në Kuvend. Duke iu përgjigjur edhe shqetësimit të Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, të cilët preken më shumë nga zbatimi i këtij ligji, Patozi u shpreh se drafti, me këtë përmbajtje, është depozituar dy vite e gjysmë më parë. “Ligji që do të miratohet nesër është depozituar në Kuvend nga PD-ja afro 3 vjet më parë, kur asnjë nga këto çështje nuk ekzistonte dhe, sigurisht, ne nuk e kemi çuar fare ndërmend që të ndryshonin konceptin apo vizionin tonë për fatin apo karrierën e disa personave, pavarësisht se në çfarë pozicioni apo vendi pune ndodhen ata sot. Ky ligj, që nuk kursen Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, ministrat, deputetët dhe gjithë nivelet më të larta të shtetit dhe të administratës publike, sigurisht që nuk mund të jetë një mëshirëmadh, apo mëshirëplotë me një grusht xhelatësh apo persekutohesh të ish-regjimit që mund të kenë mbetur kacavjerrë në institucionet tona”,- tha Patozi.

Aleatët

Por, përpos nxitimit që ka Grupi Parlamentar i PD-së për ta kaluar draftin në fjalë, aleatët duken më të tërhequr në qëndrimet e tyre. Kështu, deputetët e PBDNJ-së pritet të votojnë kundër, një qëndrim që u evidentua qartë me votën e deputetit të PBDNJ-së, Spiro Peçi në komisionin e ligjeve, ku drafti kaloi vetëm me votat e demokratëve. Në anën tjetër, PDK-ja, edhe pse nismëtare e një drafti paralel me atë të demokratëve për hapjen e dosjeve, kërkon paraprakisht disa ndryshime të projektligjit, që do të formulohen sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të kësaj partie. Me pak fjalë, demokristianët do të kërkojnë përfaqësim të tyre në autoritetin e kontrollit të figurave, si dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Edhe republikanet nuk janë shprehur qartë për qëndrimin që do të mbajnë. Asnjë prej zyrtarëve të lartë të kësaj partie nuk është prononcuar zyrtarisht mbi qëndrimin që do të mbajnë. Grupi Parlamentar i PR-së pritet të mblidhet sot për të dhënë një qëndrim përfundimtar rreth kësaj çështjeje.

Drafti

Me qëllim gjetjen e një konsensusi me opozitën për draftin “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, Partia Demokratike ndërmori disa modifikime, ku në nenin që përcaktohen detyrat që konsiderohen si të papajtueshme me moralin e funksioneve të sotme shtetërore, është hequr pozicioni i ministrit (përveç ministrit dhe zëvendësministrit të Brendshëm) gjatë kabineteve qeveritare të para dhjetorit 1990. Gjithashtu, nga kjo listë janë përjashtuar edhe të gjithë kandidatët për anëtarë të Komitetit Qendror dhe sekretarët e partisë. Në të njëjtën kohë, komisioni, me shumicë votash ka shtuar në listën e këtyre subjekteve dekanët, akademikët dhe deri drejtorët e gjimnazeve. Ligji do të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari që kanë qenë pjesëmarrës në strukturat politikëbërëse gjatë periudhës 29 nëntor 1944, deri në 8 dhjetor 1990.

Reagon Drejtori i Institutit të Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë

Miraka: Ligji duhet të ishte më i rreptë

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, është shprehur dje për domosdoshmërinë e miratimit të projektligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”. “Dëshiroj të theksoj se ky ligj duhet të ishte miratuar shumë kohë më parë, sepse ne të përndjekurit politikë të Shqipërisë, sepse shoqëria shqiptare, ka vite që e presim, e në mënyrë të veçantë, kemi tre vjet e gjysmë që e presim të bëhet nga mazhoranca aktuale. Ky ligj duhet miratuar për të qetësuar ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare, e cila e mirëpret atë. Shqipëria nuk duhet të ishte vendi i fundit që të dënonte krimet e komunizmit, vendi i fundit që të kalonte këtë projektligj”, - tha dje Miraka. Ai theksoi se përmbajtja e draftit aktual është shumë e butë dhe nuk vë përfundimisht drejtësinë në vend. “Shqipëria ka kaluar një diktaturë komuniste shumë të më egër se çdo vend tjetër i Evropës Lindore, që do të thotë që, ligji shqiptar duhet të ishte shumë më i rreptë se ligji çek, por edhe më i rreptë se ai polak”,- tha ai. Drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë theksoi se, “dhunuesit e të drejtave të një populli të tërë nuk mund dhe nuk duhet të jenë në Parlament, Presidencë apo në Prokurori”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›