E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Roshnik, në gjurmë të Qyprilinjve

Nuk kemi se ç‘të bëjmë babuç,
rruga është ca e keqe, po do
bëjmë si do bëjmë. Deri në
Roshnik është vetëm 12 kilometra". Fitim
Mimani, 65-vjeçar, e di thuajse përmendësh
rrugën që po bëjmë. Tre-katër
herë në ditë bën të njëjtin itinerar: Berat-
Roshnik dhe kthim. Ai ka lindur në
këtë vend, në "Nahijen e Beratit", një
zonë e gjerë e shtrirë në këmbë të Tomorit
madhështor. Eshtë pasardhës i
Qyprilinjve të famshëm, familje nga e
cila dolën tre vezirë të mëdhenj që qeverisën
Perandorinë Osmane në shekullin
e ngatërruar XVII. Eshtë i pasionuar pas
dy gjërave të vetme, pas fshatit dhe pas
historisë së familjes së tij. Eshtë ndër të
paktët që është rikthyer në fshat. Ka
hapur një iniciativë të vetën majë një
kodre të mbushur me vreshta, ullinj dhe
fruta. "A s‘është gjynah të ikësh që këtu",
bën me shenjë nga arat e mbjella dhe
ullinjtë e mbajtur mirë.
Rruga për në Roshnik nis në periferi
të Beratit, pak pa vajtur në Uznovë. Një
fabrikë e braktisur baterish dhe disa godina,
që duken se i kanë takuar ushtrisë,
janë ngrehinat e para që lemë pas. Një
gjuetar dhe zagari i tij po kthehen nga
kodrat. Që të dy nuk duken aq entuziastë.
Zagari i lodhur nga udha e gjatë e
ndjek pas të zotin që mban mbi shpinë
një trastë të zbrazët. Pastaj hasim vetëm
furgona që venë e vinë në Berat.
Nga Ura e Bardhë e tutje
Rrugës kemi kohë të flasim me Fitimin
mbi historinë e familjes së tij. "Unë
e kam ditur gjithnjë lidhjen tonë me
Qyprilinjtë. Që i ri dëgjoja copa bisedash
të pleqve për këtë punë - nis të flasë Fitimi
me sytë e mbërthyer mbi xhadenë
që ka nisur të bëhet ca e përpjetë - babai
im, Ali Fetah bej Mimani ishte nip te
Frashërlinjtë. Ka qenë njeri shumë i
dhënë pas vendit të vet. Ishte pjesëmarrës
në kryengritjen e 1924, më pas në
Kryengritjen e Fierit, ndihmoi sa mundi
LANÇL, por në 1946 e futën në burg. Që
nga ajo kohë nuk na panë me sy të mirë.
Mbaj mend një herë kur bëhej një aktivitet
në fshat kishin ardhur paria e rrethit.
Në radhë të parë ishte edhe babai, si një
nga njerëzit e nderuar të fshatit që ishte.
Një nga drejtuesit e atëhershëm dha urdhër
ta largonin: ‘Ǒma mbani atë këtu,
nga ajo derë kanë dalë pesë pashallarë‘.
Vonë, nga vitet e fundit të jetës, babai më
tregoi lidhjen tonë me trungun e Qyprilinjve
të Turqisë. Ma ka lënë amanet që
kurrë të mos e harroj këtë histori dhe të
bëj ç‘është e mundur që ta dinë edhe
brezat e rinj. Kështu është puna…".
Pastaj Fitimi nis të na tregojë se si ka shkuar
një udhëtim i tij në Turqi ku ka parë
varret e kushërinjve të famshëm dhe veprat
që ata kanë lënë pas për bamirësi,
shkolla, biblioteka, vende të shenjta…
Në anë të një përroi Fitimi e ndalon
makinën. "Ja këtu ka qenë një urë shumë
e vjetër. Ura e Bardhë i thoshin, sepse ishte
ndërtuar me gurë të bardhë. Kjo ishte
e kohës së Mehmet Pashë Qypriliut. Ky
pati bërë shumë për vendlindjen e tij. E
prishën kot këtë urë. Vetëm për t‘i marrë
gurët". Fitimi mundohet më kot të gjejë
ndonjë pjesë të shpëtuar nga ura e vjetër.
Duhanasi është fshati i parë që hasim
rrugës. Një avull i lehtë që ngrihet nga
arat e porsapunuara kush e di se përse
na kujton atë aromën e mirë që mban
buka e porsapjekur e fshatit. Në qendër
disa të rinj presin me padurim që të vijë
furgoni i Beratit. Një kafe në "kasaba"
nuk është njësoj si një kafe në fshat. Përballë
tashmë kemi Tomorrin e bardhë
nga dëbora e porsarënë. Më shumë se
një mal na duket si një rojtar i thinjur që
e ka mendjen poshtë, atje ku njerëzia
mbase bën ndonjë zullum që ai nuk e di.
"Plaku" i lartë nuk do të na ndahet gjatë
të gjithë udhëtimit tonë.
"Suzuki" i vogël i Fitimit shmanget
ca nga rruga kryesore. "Tani do t‘ju tregoj
punën time - thotë Fitimi pa e fshehur
kënaqësinë - kjo maja e kodrës që
shihni është puna ime e fundit. Ka
ardhur një ditë edhe Ismail Kadareja. Ka
mbjellë një ulli". Mbërrijmë në majë të
një kodre të lartë dhe para nesh shfaqet
një panoramë e mrekullueshme. Tomorri
i veshur me dëborë, ca më tej
Vojniku, një fshat që mban një emër
ushtarak (vojnik në sllavisht do të thotë
ushtar) dhe ca më tej Roshniku vetë i
vendosur në një faqe kodre të butë. Fitimi
nis të na tregojë fshatrat e "Nahijes"
me radhë: "Gjithë problemi është te rruga.
Po të kishte një rrugë për të qenë kjo
zonë do të ishte një thesar i vërtetë. Ja -
bën me dorë ai - atje tej është Sazhdani,
nga 35 familje dikur tani janë vetëm dy.
Pastaj është Perisnaka, kjo ka pasur 50
familje, tani vetëm dy, në Ferrth kanë
mbetur vetëm dy familje, në Kostren po
ashtu dy. Ǒt‘ju them unë më parë juve?
Njerëzia ikën, ikën vetëm nga mungesa
e rrugëve…". Fitimi i hedh sytë me
trishtim nga vendlindja e tij, pastaj kujtohet:
"Kam një kërkesë, nuk e di se si i
keni rregullat tuaja, por unë kam shkruar
një poezi atë ditën e tragjedisë së
Gërdecit. A mund të ma botoni?". Nuk
kemi se si t‘ia prishim kushëririt të
Vezirëve të Mëdhenj. Ja poezia e shkruar nga Fitim Mimani, në majën e kodrës
përballë Roshnikut: Mali i Tomorrit
përse rënkon/ Lumi i Osumit përse vajton/
Bilbili i kalasë 2400-vjeçare përse
nuk këndon/|Hallet e popullit po vajton/
Nuk vajton vetëm Tomorri/ Por të
gjithë malet me radhë/ Për hallet që ka
Shqipëria vajton gjithë populli shqiptar/
Shqipëri moj nëna ime përse ke
ngelur jetime/ Shqipëri moj hallemadhe
dhe politikanët me ne përse tallen/
O ju zotërinj politikanë / Qofshi të majtë
a të djathtë/ Hiqni dorë nga korrupsioni/
Larg nga hajdutëria se koha ecën
përpara… Kjo është pak a shumë poezia,
e cila vazhdon edhe më, për të cilën
ndonjë mësues letërsie apo kritik mund
të ketë ndonjë mendim të vetin edhe
më profesional, por gjithsesi…
Nga shkolla te xhamia
Roshniku është qendra e komunës.
Eshtë një fshat i madh dhe me shtëpi të
mbajtura mirë. Fiqtë dhe ullinjtë duket
se janë specialiteti i banorëve të këtushëm.
Fitimi na tregon një fik të stërmadh.
"Ky duhet të jetë më shumë se 300-vjeçar
- na thotë - këtë lloj varieteti e patën
sjellë të parët tanë nga Izmiri. Ku se kanë
provuar që ta shtojnë, në Vlorë, në Shkodër,
në Tiranë. Në asnjë vend nuk ka
zënë vend. Kush e di sepse ky lloj fiku,
që jeton shumë gjatë, rritet vetëm këtu
te ne". Ndërsa shohim fikun e lashtë na
vijnë ndërmend vitet kur etiketa "Fiq
Roshniku" ishte kthyer në një simbol të
festimit të Vitit të Ri. Në librat e historisë
dhe ndër dokumente Roshniku citohet
shpesh me emrin sllav të vjetër "Rudnik".
Ky term ka dy kuptime: më i mirëfillti
është miniera, apo gërmimi dhe kuptimi
i dytë do të thotë brinjë mali. Neve
na duket më bindës ky kuptimi i dytë.
Fshati është i vendosur mes dy përrenjve
në këmbë të Tomorrit, njësoj si një
brinjë e vërtetë mali.
"Këtu kanë qenë sarajet e të parëve të
mi. U prishën gjatë komunizmit. Tani
këtu është shkolla e bashkuar që mban
emrin Mehmet Pashë Qypriliu Roshniku",
bashkë me mikun tonë tani jemi në
mes të zhurmës karakteristike të një
oborri shkolle duke bërë muhabet për
histori të vjetra. "Vëllai i gjyshit tim Beqiri,
ishte adjutant i Sulltan Abdyl-
Hamitit. Ishte nga ajo racë e Qyprilinjve
që vazhdonte traditën e të parëve. E
ekzekutuan në kohën e Qemal Ataturkut.
Beqiri kishte vetëm dy çupa, Fairenë dhe
Merushen e meqë ishte kështu adoptoi
një nipin e tij, Luton. Ky u kthye në vendin
e origjinës dhe jetoi më pas derisa
vdiq këtu. Këta mund të quhen
pasardhësit më direktë të Qyprilinjve të
parë dhe pas tyre neve. Por fisi është
shpërndarë kudo në Berat, Vlorë, Tiranë.
Gjithsej duhet të jemi 45 familje a më
shumë". Drejtori i shkollës, Arif Qato, na
pret me përzemërsi. Në një klasë,
nxënësit çohen në këmbë kur shohin të
hyjë drejtori me ca miq të tjerë. Duket
sheshit se nxënësit kanë ftohtë. "Këtu
ç‘bie jashtë hyn brenda - thotë drejtor
Arifi - shkolla u rikonstruktua në 2004,
por shikoni se si është. I kam bërë kërkesa
komunës e të gjitha instancave të tjera,
por askush nuk kujtohet. Tani mësues e
nxënës e bëjnë mësimin në shi".
Nxënësit e mbledhur nga të ftohtët për
disa momente na kanë bërë që të harrojmë
ato historitë e vjetra me vezirë e
pashallarë.
Një tjetër kujtim i kohëve të vjetra është
një shtëpi e madhe që të paktën
mbahet ende në këmbë. Fitimi na shpjegon
se kjo është ndërtuar në shekullin
XVIII nga Servet bej Brahimi. Shtëpia,
monument kulture dhe dikur muzeu i
fshatit tani është një haur i madh. Një
gomar i trishtuar, që është lagur ca nga
shiu, dhe një dele që zgjat turirin në
gardh janë të vetmet qenie të gjalla që
takojmë në shtëpinë e vjetër. "Këtu ka
qenë çezma e ndërtuar nga Qyprilinjtë,
kjo ura mbi përrua është ndërtuar po nga
ata. Ja ku kanë mbetur edhe disa gjurmë
të kalldrëmit të vjetër. Ky guri i mullirit
të vajit, që e kanë futur në mur duhet të
jetë i po asaj kohe…", Fitimi nuk rresht
së kërkuari gjurmë të shkëlqimit të të
parëve derisa më në fund kemi arritur
para një gërmadhe të rëndë. Eshtë, a më
mirë me thënë ishte, xhamia e ndërtuar
nga Mehmet Pashë Qypriliu që në 1660-
ën. Rrënoja e zgaflluar duket si një objekt
fare i harruar në mes të shtëpive të
reja. "A e mban mend o Fitim se si i hidhnim
hoxhës farë urofi që të shkiste shkallëve?",
xha Beqo Fiska, një shok i fëmijërisë
së Fitimit, mjeshtër i vreshtarisë
dhe i verës, i është bashkuar grupit. "Si
nuk u kujtua njeri xhanëm që ta rindërtonte
këtë xhami - psherëtin xha Beqoja
- ka lloj-lloj fondacionesh, apo ku ta di
unë, dhe askush nuk u kujtua. Nuk e kam
se jam besimtar i madh, por ama kjo
ndërtesë është pjesë e historisë, jo vetëm
e asaj të Roshnikut, por të tërë Shqipërisë".
Vonë, në të ngrysur marrim
rrugën e kthimit në këmbë të Tomorrit.
Mbase jemi duke bërë të njëjtën udhë,
që bënte 4 shekuj më parë, një djalë i këtij
fshati me mendjen top se do bëhej
Kryeministri i fuqisë më të madhe të kohës.

Nga kuzhina në majë të pushtetit

Ai që më vonë do të quhej Mehmet Pa
shë Qypriliu lindi në Roshnik dikur
andej nga fundi i shekullit XVI. Ishte
ndër djemtë e krishterë të fundit që rekrutoheshin
si jeniçerë sipas sistemit të
devshirmesë. Karrierën e nisi si një kuzhinier
i thjeshtë oborri. Një boshnjak, Husrev Pasha,
çambellan i oborrit të sulltanit, e ndihmoi shqiptarin
e ri që të bënte karrierë. Pas një zënke
në oborr, Mehmeti i Roshnikut shkon e vendoset
në Qypri, një qytet në Anadoll. Këtu
martohet me të bijën e sanxhakbeut. Që prej
asaj kohe ai do të quhej Mehmet Qypriliu. Kur
mbështetësi i tij Husrev Pasha u bë kryevezir,
Mehmet Qypriliu u bë për disa kohë aga i
jeniçerëve, një post me pushtet të frikshëm.
Para se të bëhej Vezir i Madh, Mehmet Qypriliu
ka shërbyer në disa detyra të tjera: kryepolic
i tregut (ihtisap aga), mbikëqyrës i depove
perandorake të armatimit (tophane naziri),
komandant i spahinjve, komandant i rojeve të
oborrit të sulltanit, shefi i stallave sulltanore.
Ishte për disa kohë ministër pa portofol. Mori
pjesë në rrethimin e Bagdadit dhe për disa
kohë shërbeu edhe në Siri si kryetaksambledhës.
Ishte shumë i shtyrë në moshë, kur miqtë e
tij, kryeshkruesi i oborrit dhe kryearkitekti (mimar
bashi), ky i fundit një shqiptar i njohur me
emrin Arkitekt Kasemi, ia mbushën mendjen
sulltanit dhe nënës Mbretëreshë se pikërisht Mehmeti
nga Roshniku duhej të ishte Veziri i Madh
në vitet e ardhshme. Ishte viti 1656, ai ishte në prag
të të tetëdhjetave. Ishte nga të paktët njerëz që
mund t‘i vinte kushte Sulltanit. Vetëm nëse Sulltani
nuk do të ndërhynte në emërimet dhe shkarkimet
e tij dhe vetëm nëse ai nuk i dëgjonte
gojët e liga, që do të nisnin të flisnin keq për të,
vetëm atëherë plaku nga Roshniku do të pranonte
postin. Sulltani ra dakord. Hapi i parë që hodhi
Mehmet Pashai ishte ekzekutimi apo dëbimi i
kundërshtarëve të tij politikë. Spahinjtë e Stambollit
që guxuan të kundërshtonin u përballën
menjëherë me jeniçerët e tmerrshëm. Shumë prej
tyre u masakruan. Një ish-kryevezir, Sijavush Pasha,
u ekzekutua, sepse nuk kishte pranuar të
transferohej në Damask. Udha e pushteti ishte
hapur. Tani Mehmeti duhej t‘i hidhte sytë jashtë
perandorisë, andej nga po mblidheshin re të zeza.
Mehmet Pasha urdhëroi vetë ekzekutimin e
admiralit të flotës, një njeriu i tij i afërt, vetëm
sepse ky nuk po arrinte që të hiqte bllokadën
venedikase nga Dardanelet. Një flotë e re u krijua
me njerëz të ardhur nga Afrika. Më 1657,
ngushtica e rëndësishme u bë krejtësisht osmane.
Në Transilvani, një vit më vonë, Mehmet
Pasha i udhëhoqi vetë tartarët që masakruan me
mijëra njerëz në shtypjen e kryengritjes së Gjergj
Rakocit. Thuajse në të njëjtën kohë në Anadoll
shpërtheu kryengritja e Abaz Hasanit. Me të u
bashkuan të gjithë të pakënaqurit nga politika e
dorës së fortë të shqiptarit. Trupat kryengritëse
arritën deri në portat e Stambollit. Mehmet Pashë
Qypriliu u kthye nga Transilvania dhe në
fillim u dha gjashtë muaj rrogë ushtarëve. Pas
shumë betejash, Kryeveziri e thirri në një "drekë
paqeje" Abaz Hasanin, armikun e tij të betuar. Ky
dhe shtabi i tij i ngushtë u masakruan pa mëshirë.
Në fund të jetës Mehmet Pasha ishte bërë paranoiak.
Shihte kudo armiq dhe nuk hezitonte të
urdhëronte vrasjen e kujtdo, qoftë ky edhe njeriu
i tij afërt. Ditën që ai vdiq, më 3 tetor 1661,
erdhi nga Damasku ku ishte guvernator, i biri,
Fazëll Ahmet Pasha. Ky do të ishte Kryeministri i
ri i perandorisë më të fuqishme të kohës.
Fazëll Ahmet Pashë Qypriliu do ta mbajë postin
e tij për 15 vjet, deri në 1676. Ndryshe nga i ati,
ky ishte i shkolluar. Ai synoi që vendin ta qeveriste
me mjete politike duke iu larguar dhunës dhe
terrorit që kishte ushtruar i ati, Mehmet Pasha. Ku
austriakët ndërhynë në Transilvani Fazëll Ahmet
Pasha bëri gati ushtrinë kolosale. Ai vetë ishte
kryekomandant i saj. Një betejë e përgjakshme u
zhvillua në Shën Gotard. Me sa duket nuk kishte
as fitimtarë dhe as humbës. Në gusht 1664 u nënshkrua
paqja me Austrinë. Pesë vjet më vonë trupat
osmane pushtuan Kretën. Në këmbim të pozicionit
të saj neutral Fazëll Ahmeti i njohu Francës
të drejtën e kombit më të favorizuar në tregti në
trojet e Perandorisë Osmane. Në vitet 1672-1677,
Fazëll Qypriliu u angazhua në drejtimin e
luftës kundër Polonisë për pushtimin e disa
territoreve të Ukrainës.
Më 3 nëntor 1676, Fazëll Ahmet Qypriliu
vdiq papritur. Ishte një vdekje e pazakontë.
Trupi i tij ishte stërmbushur me ujë. Vendin e
tij e zuri i vëllai nga nëna, Kara Mustafa Pashë
Qypriliu. Ky është i njohur në historinë e
Perandorisë Osmane sepse drejtoi fushatën
kundër Rusisë, e cila u mbyll me paqen e
Bahçserajit në janarin e 1681. Kara Mustafait
iu desh të udhëhiqte rrethimin e Vjenës në
korrikun e 1683. Me gjithë plaçkën e luftës kolosale
të grumbulluar, kjo fushatë ishte një
dështim. Sulltani e shkarkoi Mustafa Pashë
Qypriliun. Pak ditë më vonë në Beograd atij
iu pre koka.
Historia e Qyprilinjve nuk është më aq e
lavdishme sa më parë derisa në fillim të shekullit
XX, një tjetër pinjoll i tyre, Fuad Qypriliu,
njeri i letrave dhe politikan, bëhet zëvendëskryeministër
dhe ministër i Jashtëm i
Turqisë. Thuhet se pikërisht ky ishte iniciatori
i qëndrimit proshqiptar të Turqisë në anëtarësimin
e Shqipërisë në OKB.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›