Bosnjë, përleshje gjatë ndeshjes, 40 të plagosur
SARAJEVE- Rreth 40 persona mbetën të plagosur, mes të cilëve 17 policë, pasi një ndeshje në Bosnjë-Hercegovinë mes Sarajevës dhe Shiroki Brijeg, degjeneroi në akte dhune. Takimi përfundoi 1-1, ndërkohë që mbështetësit e skuadrës vendase, Sarajevës, prisnin një fitore për t’u hakmarrë për vrasjen e një tifozi në ndeshjen e parë të luajtur në tetor. Ata kanë akuzuar lojtarët dhe drejtuesit e klubit të tyre se i kanë tradhtuar në këtë mision dhe menjëherë kanë nisur nga aktet e dhunës. Përleshjet ishin tepër të forta, ndërkohë që futbollistët vrapuan për të dalë sa më shpejt nga stadiumi. Policia u përpoq të ndalonte tifozët dhe të shpëtonte shkatërrimin e stadiumit, gjë që ishte shumë e vështirë. Zëdhënësi i policisë së Sarajevës bëri të ditur se 17 policë kanë mbetur të plagosur, ndërsa 15 tifozë janë arrestuar. Dëmtime ka patur edhe nga radhët e tifozerisë, por jo të shkallës së rëndë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)