Bota arabe, përparësi e diplomacisë së Kosovës
Është kënaqësi për mua t’i drejtohem kësaj konference që mbahet në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin përgjithësisht. Përmbajtja e kësaj konference, si në kuptim të temave që do të diskutohen, e po ashtu, edhe sa i përket përfaqësimit, e rrit rëndësinë e saj. Duke u nisur nga këto fakte, gjej rastin të falënderoj organizatorët për ftesën që me kanë bërë.
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ky akt ishte kulmim i aspiratave të popullit të Kosovës për të jetuar i lirë. Përfundimisht, falë vendosmërisë së popullit të Kosovës dhe përkrahjes së botës liridashëse, sot Kosova është e lirë dhe po punon për ndërtimin e shtetit të vet demokratik, mbi parimet e respektimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe të pakicave etnike. Kosova mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj propozimit gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari. Qeveria tashmë ka hartuar plane të veçanta për zbatimin në terren të dispozitave nga Pakoja e Ahtisarit, në veçanti të asaj pjese që ka të bëjë me mbrojtjen e pakicave sidomos asaj serbe.
Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e vetëdijshme se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i ka zgjidhur problemet tona të shumta, të natyrës sociale dhe ekonomike. Është e qartë për secilin se në fazën e tanishme çështje me rëndësi jetike për institucionet dhe popullin e Kosovës është njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës. Ky është parakusht i rëndësishëm për stabilitet politik dhe zhvillim të përgjithshëm ekonomik e shoqëror të Republikës së Kosovës dhe rajonit përgjithësisht. Qeveria e Republikës së Kosovës punon me tërë kapacitetet e saj për të siguruar sa më shumë përkrahje ndërkombëtare për Kosovën, duke përfshirë në mënyrë të veçantë vendet e botës arabe, me të cilat kemi kontakte e takime të shpeshta. Kosova, me të drejtë, kërkon dhe pret përkrahje e njohje nga këto vende, në këto momente të papërsëritshme historike për ne.
E kemi parasysh se procesi i njohjes së shteteve të reja është çështje e ndërlikuar e politikës ndërkombëtare, prandaj duke u nisur nga ky fakt, Ministria e Punëve të Jashtme, e cila është themeluar më 16 qershor, një pjesë të mirë të energjisë së saj e ka përqendruar në përshpejtimin e procesit të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Përkundër vështirësive të shumta, të natyrës politike dhe logjistike, Ministria e Punëve të Jashtme ka arritur që të transmetojë zërin dhe interesat e Republikës së Kosovës në vende dhe rajone të ndryshme të botës.
Strategjia e veprimit të Ministrisë së Jashtme, sa i përket procesit të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, është bazuar në kontakte të drejtpërdrejta apo të tërthorta me sa më shumë vende të ndryshme të botës. Përparësi në këtë drejtim u është dhënë rajoneve nga të cilat ende nuk kemi pasur shumë njohje dhe shteteve me ndikim brenda atyre rajoneve e brenda organizatave të caktuara ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme, që nga dita e parë, e ka trajtuar me përparësi të dorës së parë kontaktin me vende të ndryshme të botës arabe dhe asaj myslimane në përgjithësi.
Qeveria dhe populli i Kosovës shpresojnë dhe besojnë fuqimisht se shtetet arabe edhe kësaj here do të gjenden pranë Kosovës. E them “edhe kësaj here”, sepse vende dhe organizata të ndryshme arabe kanë dhënë përkrahje zemërgjerë në fazën e rindërtimit dhe stabilizimit të Kosovës së pasluftës. Populli dhe institucionet e Kosovës janë dhe do t’u mbeten përgjithmonë mirënjohëse atyre vendeve arabe që kanë ofruar ndihmën e tyre, qoftë përmes pjesëmarrjes ushtarake në kuadër të forcës paqeruajtëse të KFOR-it, qoftë përmes ndihmave të shumta humanitare dhe ekonomike.
Më lejoni të rikujtoj këtu që në Konferencën e Donatorëve për Kosovën, Arabia Saudite ka zotuar një shumë prej 50 milionë dollarësh. Në falënderojmë këtë vend të rëndësishëm dhe, natyrisht, presim njohje e bashkëpunim nga ky dhe vende të tjera, në ekonomi dhe në të gjitha veprimtaritë e jetës.
Shpresojmë dhe besojmë se mundësitë për marrëdhënie politike, ekonomike dhe të tjera të Kosovës me botën arabe janë të mëdha. Me njohjen e shtetit të Kosovës nga shtetet arabe, do të hapej një kaptinë e re, që do të mundësonte kultivimin dhe përparimin e këtyre marrëdhënieve.
Populli dhe institucionet e Kosovës kanë dëshmuar qartë përkushtimin për të ndërtuar një shtet demokratik që çmon lart dhe mbron lirinë njerëzore. Kosova aspiron të jetë pjesëmarrëse e përgjegjshme ndërkombëtare, kontribuuese e, jo vetëm konsumuese, e sigurisë globale dhe e aspiratës për liri e dinjitet njerëzor. Aspiratë kjo që e bën të fortë urën që lidh kulturat, religjionet, etnitë dhe racat e ndryshme të botës.
*Ministër i Jashtëm i Kosovës. Fjala e mbajtur dje ne konferencën ndërkombëtare “Kosova dhe bota arabe”