E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa kufizuese ndaj ndikimit të investuesve të huaj

Investuesit e huaj duhet të llogarisin në të ardhmen një veto të qeverisë gjermane, nëse angazhohen në degë me rëndësi strategjike të ekonomisë gjermane.

Politika në Gjermani synon të kufizojë ndikimin e investuesve të huaj në ekonominë gjermane. Këta investues janë të fuqishëm, paratë nuk luajnë thuajse asnjë rol në këtë drejtim. Sipas një studimi të shoqërisë Ernst&Young, fondet shtetërore investuan në vitin e kaluar në të gjithë botën më shumë se 104 miliardë euro, katër herë më shumë se në vitin 2005.

Investuesit e huaj duhet të llogarisin në të ardhmen një veto të qeverisë gjermane, nëse angazhohen në degë me rëndësi strategjike të ekonomisë gjermane. Këto degë janë telekomi, bankat, sektori energjitik si edhe armatimi. Qeveria gjermane miratoi të mërkurën (20.08) një sërë rregullash largvajtëse për ta kufizuar ndikimin e fondeve të fuqishme, shpesh në pronësi të shteteve të huaja, në ekonominë e Gjermanisë.

Rregullat prekin në radhë të parë veprimtarinë e grupeve të investuesve jo nga BE-ja, si për shembull nga Rusia, Lindja e Afërt dhe Kina. Propozimet e miratuara nga kabineti i Merkelit do të mundësojnë që në të ardhmen të bllokohen përpjekjet e kompanive të tilla për të blerë 25% ose më shumë të aksioneve në pjesë strategjike të ekonomisë gjermane. Qeveria gjermane vërtet që nuk do ta ndalojë parimisht në të ardhmen pjesëmarrjen me 25% të firmave të huaja në ekonominë gjermane, por rezervon të drejtën e vetos. Ministri gjerman i Ekonomisë, Mihael Glos, tha: "I nevojshëm është një rrezikim i faktuar dhe i rëndë i një interesi themelor të shoqërisë. Në rastet e investimeve në sipërmarrje të veçanta, për mendimin tim, një gjë e tillë ndodh vetëm në raste përjashtimore".

Por ministri gjerman i Ekonomisë nuk pranon të përkufizojë konkretisht se ç’do të thotë "interes themelor i shoqërisë". Fjalë si "rendi publik dhe siguria", që përmbahen në rregullat e reja, do të jenë kriteri kryesor për të nisur një rishikim të planeve investuese të kompanive të huaja në Gjermani. Kjo vërtet që i jep çdo qeverie gjermane hapësirë më të madhe për të ndërmarrë masa mbrojtëse përballë investitorëve të padëshiruar. Por kjo nuk ndikon në shtimin e sigurisë ligjore në Gjermani, thonë kritikët. Bazuar në një model të SHBA-së, planet e Gjermanisë mund të çojnë në përpjekje të tjera në 27 vendet anëtare të BE-së për të bllokuar investimet e huaja në industri të ndjeshme. Ministri Glos nxiton të theksojë se "Gjermania është dhe do të mbetet një vend i hapur për investime të huaja."

Por këto masa të qeverisë kanë bërë që të bien kambanat e alarmit në radhët e biznesit të ekonomisë gjermane. Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës Ndërkombëtare Gjermane të Industrisë, Angelika Polenc, thotë se ky hap mund të çojë në uljen e investimeve të huaja në Gjermani. “Investimet e huaja sjellin rritje ekonomike, punësim dhe si rezultat, rrisin standardet e jetesës”, - thotë ajo.

Megjithatë, rregullat e miratuara nga qeveria gjermane nuk ofrojnë një zgjidhje optimale. Analistët thonë se edhe në situatën aktuale, ekziston rreziku që fondet shtetërore të shfrytëzohen nga grupe të tjera ekonomike, me veprimtari në vende të tjera të BE-së, për të gjetur akses në korporata gjermane me rëndësi kyçe.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›