Mjekët e rinj, stazh në fshat
Një projekt i ri është duke u përgatitur në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit të gjithë të sapodiplomuarit e Fakultetit të Mjekësisë do të duhet të kryejnë stazhin e tyre të punës në zonat rurale dhe jo në spitalet e poliklinikat e qyteteve. Burime zyrtare nga kjo ministri, bëjnë të ditur se arsye për këtë ndryshim në strategji është mungesa e mjekëve në fshatrat tona.
Paralajmërim të kësaj deklarate ka bërë edhe ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, e cila vetëm pak ditë më parë ngriti alarmin e mungesës së bluzave të bardha në zonat jourbane të vendit dhe pamundësinë e aksesit në shërbimin mjekësor të mijëra qytetarëve shqiptarë. Atëherë, znj. Godo kishte deklaruar se “duhet të merren masa sa më parë në mënyrë që të ndalojë fenomeni i urbanizimit të shëndetësisë”.
Strategjia
Duket se mjekët e rinj do të kryejnë këtë ndryshim, që prej kohësh është hedhur si tezë në Ministrinë e Shëndetësisë. Projekti i ri, i cili është në fazë diskutimi parashikon që të gjithë të sapodiplomuarit e shkollës së lartë të mjekësisë do të duhet të kalojnë një ose dy vjet në qendrat shëndetësore rurale. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur se në këtë mënyrë do të arrihet që të profesionalizohen mjekët e rinj dhe paralelisht të mos mungojë shërbimi mjekësor në fshatra.
Në projekt deri tani nuk është përcaktuar ende formula e zbatimit të kësaj metode. Sipas burimeve nga kjo ministri, janë ende në diskutim dy variante kryesore. Sipas variantit të parë, të gjithë të sapodiplomuarit do të marrin licencën e mjekut dhe do të pranohen të punësohen vetëm në fshatra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Ndërkohë, sipas variantit të dytë, licenca e mjekut do t`u jepet vetëm në rast se do të kenë kryer këtë stazh në zonat rurale.
Shpërndarja e mjekëve
Një nga problemet më të mëdha të sistemit shëndetësor në vendin tonë është shpërndarja e mjekëve. Sipas specialistëve, shumica e mjekëve janë të përqendruar në zonat urbane me rekord mjekësh në zonat e Tiranës dhe të Durrësit, jo vetëm për shkak të popullsisë së dendur në këto zona, por edhe për shkak të numrit të lartë të spitaleve private që funksionojnë në dy qytetet kryesore të vendit.
Në këtë mënyrë, shumë fshatra kanë mbetur pa asnjë mjek dhe në disa raste të fshatrave të izoluara kontakti me mjekun vjen vetëm herë në muaj, kur mjekë nga qendrat shëndetësore të zonave të përafërta vizitojnë fshatin. Për më tepër, në fshatrat e izoluara ka raste kur distanca drejt qendrës më të afërt shëndetësore është më e madhe se gjysmë ore, duke bërë që një pjesë e qytetarëve shqiptarë të jenë të privuar nga e drejta kushtetuese e shërbimit mjekësor.
Apelon Ivanaj: Nuk ka gjak në spitale
Ministria e Shëndetësisë bëri apel dje për të sensibilizuar opinionin publik për dhurimin vullnetar të gjakut.
Gjatë një konference për shtyp, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, duke iu referuar situatës aktuale, tha se “në 10-ditëshin e fundit të gushtit, pacientët me sëmundje kronike kanë marrë 2 herë më pak gjak sesa ishte parashikuar të merrnin, sepse stoku aktual në spitale dhe në bankat e gjakut është pakësuar”.
Sipas tij, kurba e dhurimeve vullnetare gjatë verës bie. Ai garantoi se gjaku që dhurohet shkon në destinacion dhe mirëpërdoret në klinikat dhe pavijonet e spitaleve.
"Është shumë e rëndësishme që të mirëkuptohet mesazhi që burimi i vetëm i dhurimit të gjakut të jetë njeriu", - theksoi Ivanaj.
“Ministria e Shëndetësisë tashmë ka një strategji kombëtare të transfuzionit të gjakut, e hartuar në vitin 2006, e cila në thelbin e saj parashikon zëvendësimin e dhuruesve të paguar në dhurues vullnetarë”, - tha zoti Ivanaj.