Bota e Rumsfeldit

Pjesa më e madhe e sekretarëve të kabinetit janë të prirë që të zhduken në prapavijë, por Donald Ramsfeld është bërë pothuajse i padukshëm. Për dallim nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Collin Powell, ai nuk paraqitet në emisione televizive dhe nuk udhëton jashtë vendit për të mbajtur fjalime që paguhen mirë. Ai nuk ka themeluar ndonjë kompani këshilluese, siç kanë bërë ish-sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice, këshilltari për siguri kombëtare, Stephen Hadley dhe sekretari për siguri të brendshme, Michael Chertoff. Si qytetar privat, ai është tërhequr në shtëpinë e tij në Maryland.
Por, tani, Rumsfeld më në fund ka vendosur të flasë. Ai ka një faqe në Facebook dhe para se gjithash edhe librin e kujtimeve të tij, “Known and Unknown”.
Në libër ai flet për shumë gjëra, duke filluar që nga betejat e tij me Rice, për shkak të “dështimit” të saj që të menaxhojë si duhet Këshillin për Siguri Kombëtare, e deri te grindjet e tij me Powellin, për shkak të deklaratave të tij se administrata e ka mashtruar sa i përket armëve për shkatërrim masiv të Irakut.
“Powell nuk është gënjyer dhe nuk është mashtruar nga askush”, shkruan Rumsfeld në libër.
Libri tashmë është kritikuar nga disa prej shënjestrave të Rumsfeldit, përfshirë këtu edhe senatorin republikan John McCain, i cili javën e kaluar deklaroi:”Falë Zotit, ai është shkarkuar nga të gjitha detyrat”.
Nuk befason fakti se fjalët e Rumsfeldit kanë nxehur gjakrat në Washington, pasi që shumë prej bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve të tij tani privatisht po tentojnë të qartësojnë se çfarë ka shkuar si duhet e çfarë jo.
“Një nga kritikat më të mëdha në adresë të Rumsfeldit ka qenë se ai nuk ka dëgjuar gjeneralët e tij dhe se ka imponuar vullnetin e tij. Por, nëse kthehemi prapa në këtë periudhë, shumica e njerëzve mund të vërejmë se problemet kanë lindur për faktin se Rumsfeld nuk ka dashur të përzihet në vlerësimin e profesionistëve ushtarakë”, thotë një ish-bashkëpunëtor i tij.
Sidoqoftë, Rumsfeld në librin e tij kryesisht i kursen nga kritikat gjeneralët, përfshirë këtu edhe Tommy Franksin, komandant luftarak në Irak, i cili praktikisht mbushi kërkesën e tij për pensionim në momentin kur tanket e para filluan të lëvizin drejt Bagdadit. Për dështimet, Rumsfeld kritikon kryesisht “kryesinë amorfe të armatës”.
Libri Known and Unknown gjithashtu hap një dritare në lidhje për atë se si pjesa më e madhe e luftës dhe periudha pasuese është “luftuar” mes sekretarëve të kabinetit dhe zëvendësve të tyre. Megjithatë, Rumsfeld kishte vendosur të vepronte i vetëm. Ai nuk e rrethoi vetën me këshilltarë dhe bashkëpunëtorë nga fushat tjera të jetës. Ai kurrë nuk ishte takuar me Douglas Feithin, por kishte vendosur ta emërojë për zëvendëssekretar për politikë të mbrojtjes, pas një bisede të shkurtë që zhvilloi me të.
Bashkëpunëtorët e Rumsfeldit janë të mendimit se një pengesë tjetër për suksesin e tij ka qenë fakti se ai e humbi rrugën në burokracinë e madhe që mbretëronte në Këshillin për Siguri Kombëtare. Ai refuzoi që Këshillit t’i japë informacione të detajuara për personelin në Pentagon.
Ai dëshironte vija të qarta të përgjegjësisë, duke kthyer prapa shkresat me argumentin se presidenti duhet ta dijë saktësisht se kush është përgjegjës për çka.
Është lehtë të harrohet se gjërat nuk shkuan siç duhet për të jo pas luftës në Irak, por që nga momenti kur ai hyri në Pentagon në vitin 2001.
Më 10 shtator të atij viti, Rumsfeld shkoi në Klubin Ndërkombëtar për Shtyp për t’i shpallur luftë burokracisë në Pentagon. “Dëshiroj ta shpëtoj Pentagonit. Ne duhet ta shpëtojmë nga vetvetja”, kishte deklaruar Rumsfeld. Gjatë këtij fjalimi, ai foli edhe për kërcënimet e reja globale.
Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit, një prej këtyre kërcënimeve u përplas në Pentagonin e Rumsfeldit.
Rumsfeld gjatë kohës së tij në Pentagon arriti të riorganizojë strukturën komanduese dhe ringjalli operacionet speciale.
“Don Rumsfeld është një person kompleks dhe inteligjent. Ka gjëra për të cilat ai do të krenohet dhe ka gjëra për të cilat do të ndiejë frustrim”, thotë Douglas Faith. Por, a do të ketë rëndësi kjo? Ndoshta jo.
Historia në fund shkruhet nga fitimtarët dhe Rumsfeld do ta ketë vështirë të pretendojë një fitore të tillë. (Newsweek)