E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të përmirësohemi

Kombëtarja shqiptare premton se shumë shpejt do ta harrojë humbjen që e pësoi në miqësore nga Sllovenia me rezultat 1:2. Selektori i kuzezinjëve, Josip Kuze, thotë se skuadra e tij do të këndellet nga kjo disfatë në ndeshjen e radhës eliminatore ndaj Bjellorusisë. Nga Express më 11 shkurt 2011 në ora 11:56

Humbja me rezultat 1:2 në miqësoren e së mërkurës përballë përfaqësueses së Sllovenisë ishte e rëndë për Kombëtaren e Shqipërisë. Mediet shqiptare konsiderojnë se kjo humbje e ka goditur moralin e ekipit kuq e zi para rifillimit të eliminatoreve për kampionatin evropian, ‘Euro 2012’.

Ndeshjen e radhës eliminatore për ‘Euro 2012’ kuqezinjtë do ta zhvillojnë në muajin e ardhshëm në Tiranë ndaj Bjellorusisë.

Deri atëherë, përzgjedhësi i Kombëtares kuq e zi, Josip Kuze, do të mundohet që djelmoshave të tij t’ua largojë nga mendja disfatën që e pësuan në minutën e fundit të ndeshjes prej një penalltie nga sllovenët.

Tekniku kroat thotë se ekipi i tij deri para ndeshjes së radhës do të punojë për t’i përmirësuar gabimet që i bëri në miqësoren përballë sllovenëve.

“Do të përpiqemi të ri-ngritemi për ndeshjen eliminatore kundër Bjellorusisë”, ka deklaruar Josip Kuze, i cili e mirëpriste miqësoren ndaj sllovenëve për ta testuar skuadrën e tij para duelit të radhës mjaft të rëndësishëm kundër Bjellorusisë.

Por, vetë strategu kroat ka pranuar se është zhgënjyer mjaft me humbjen që ia shkaktoi ekipit të tij skuadra sllovene, e cila ishte pjesëmarrëse në kampionatin botëror ‘Afrika e Jugut 2010’. “Ishte një humbje që nuk e doja”, ka theksuar Kuze.

“Në pjesën e parë nuk ishim të organizuar si duhet dhe nuk u sakrifikuam sa duhet. Ndërsa, në pjesën e dytë arritëm të ndryshonim diçka në lojën tonë. Dallimin e bëri fakti i freskisë fizike dhe kundërshtarët vrapuan më shumë. Sllovenia njihet për cilësinë më të lartë sesa përfaqësuesja jonë”, ka pohuar kroati.

Ndërkohë, edhe sulmuesi i kuzezinjëve, Erjon Bogdani pa pranuar se ekipi slloven ishte një kundërshtar shumë i fortë për ta.

Mirëpo, sulmuesi i Cesenas ka premtuar se tifozeria shqiptare në duel me Bjellorusinë do ta shohë një lojë krejt ndryshe të aplikuar nga ekipi shqiptar për dallim me atë ndaj sllovenëve.

“Ishte ndeshje provuese para takimit me Bjellorusinë. Kundërshtari ishte shumë i fortë. Pjesën e parë nuk e filluam mirë. Në pjesën e dytë e ndryshuam komplet lojën deri te barazimi. Sulmi ka marrë shumë pak topa. Kundër Bjellorusisë përkrah Salihit do të ketë një histori komplet tjetër”, ka thënë Bogdani.

Humbja nga Sllovenia ishte e para për Shqipërinë pas tetë miqësoreve të zhvilluara. Më herët, kuqezinjtë kishin triumfuar në pesë miqësore; përballë Qipros, Irlandës së Veriut, Malit të Zi, Andorrës dhe Uzbekistanit. Ndërsa, në tri miqësore tjera shqiptarët kishin barazuar, përballë Gjeorgjisë, Estonisë dhe Maqedonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›