Trajkoviq nuk do të betohet sipas Kushtetutës

Derisa lëvizja “Vetëvendosje” në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës do ta bëjë betimin në mënyrë të veçantë, është dikush tjetër që nuk do ta bëjë atë fare. Është Lista e Bashkuar Serbe e Rada Trajkoviqit.
Vetë kryetarja e JSL-së, Trajkoviq, i ka thënë “Kohës Ditore” të enjten se ajo dhe tre deputetët e saj nuk e kanë në plan që të kalojnë nëpër procedurën e betimit për t’u bërë deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Është një pyetje e rëndë kjo. Unë në asnjë mënyrë nuk do ta jap betimin sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo nëpërmjet telefonit.
“Unë do t’i mbroj interesat e qytetarëve dhe nuk do të vendos për statusin e Kosovës”.
Mirëpo sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë që pavarësisht se kush është ai që nuk e bën betimin sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës ai nuk mund të bëhet deputet. Ai është shprehur që ligji të jetë i njëjtë për të gjithë dhe që për askënd të mos mund të aplikohet standard i veçantë.
“Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht me nenin 70 dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
“Nëse dikush nuk e bën betimin nuk është deputet e nëse nuk është deputet tani nuk mund të vijë në Kuvend”, ka shtuar ai.
Kushtetuta e Kosovës respektivisht neni 70 flet për mandatin e deputetëve. Pika 3 e nenit 70 thotë se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse nuk bëhet betimi. Pika 4 e të njëjtit nen thotë se vendet e liruara të deputetëve në Kuvend plotësohen menjëherë në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligjin.