E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota e adhuron Tony Blairin

Lajme të mira për Tony Blair. Ish-kryeministri mësoi së fundmi se ishte nderuar me medaljen e Lirisë së Qendrës Kombëtare Kushtetuese, si dhe një çek prej 100 milionë dollarësh, që i shtoheshin Medaljes se Artë të Kongresit dhe Medaljes së Artë të Presidentit, të marra së fundmi. Sipas presidentit të Këshillit Kombëtar amerikan, David Eisner, çmimi është akorduar për meritën e tij në krijimin e mirëbesimit mes vendeve dhe gjetjen e zgjidhjeve në zonat e konfliktit. Të paktën në sytë amerikanë, Blair është ende burri i shtetit që mund të shpëtojë botën e mund të merret me kauzat e paqes dhe të lirisë. Kjo është me të vërtetë e këndshme. Por, brenda në Britani dashuria për Blair është gjithnjë e më paktë.

Dikur një aset i rëndësishëm e i fuqishëm elektoral, Blair luajti një rol rastësor në fushatën e zgjedhjeve për këtë vit dhe ka tashmë dyshime për integritetin e tij. Një sondazh i kryer pak kohë më parë tregonte se një e treta e publikut besonte se ai duhet të përballej me gjyqin lidhur me luftën e Britanisë në Irak. Për amerikanët ai mund të jetë kampion i lirisë, por për votuesit britanikë është më shumë një ish-lider me të shkuar të dyshimtë politike. E vërteta e pastër është se Blair i bashkohet një radhe të gjatë politikanësh, reputacioni ndërkombëtar i të cilëve qëndroi i shkëlqyer edhe pas zhgënjimit në vendimin e tyre.

Perëndimorët e donin shumë Mikhail Gorbachev dhe e konsideronin atë si një vizionar që inicioi shpërbërjen e regjimit komunist në Rusi, por për shumë rusë ai është lideri që duhet të mbajë përgjegjësi për rënien e prestigjit dhe perandorisë sovjetike. Margaret Thatcher është vlerësuar shumë jashtë vendit të saj si një mbrojtëse e lirisë politike dhe ekonomike, por ajo u largua nga Downing Street e refuzuar edhe si deputete nga partia e saj.

Pakënaqësia e publikut vendas natyrisht as që vihet re jashtë. Ndërsa për ish-kryeministrin Blair ishte lufta e Irakut ajo që ndryshoi mendjen e publikut. Ai do të kujtohet edhe për rolin që luajti në sjelljen e paqes në Irlandën e Veriut, por shumë mendojnë se ai ishte një lider që e manipuloi Parlamentarin në mënyrë që të votonte pro një pushtimi krejtësisht të gabuar, duke ndjekur verbërisht idenë amerikane.

Ai nuk do të falet lehtë dhe besimi nuk do të kthehet për të. Një sondazh i “BPIX” tregoi se 80 për qind e publikut beson se ai kishte gënjyer në rrëfimet e tij të mëparshme para një gjykate që po hetonte për luftën.

As çështjet e tij private nuk e kanë ndihmuar në këtë drejtim. Sipas disa të dhënave të fundit, ai ka grumbulluar më shumë se 15 milionë dollarë në vitin 2009, pra që prej largimit nga qeveria, për të mos përmendur këtu një tjetër portofol pronash prej 15 milionë dollarësh të tjerë. Ai është tashmë mes lektorëve më të paguar në botë. Në këmbim të pagesave marramendëse, ai këshillon edhe bankierët në JPM Morgan Chase dhe qeverinë e Kuvajtit.

Dhe vetëm shitja e kujtimeve të tij, që do të dalin në fund të vitit, i solli fitime prej 6 milionë dollarësh. Natyrisht, ai është i zënë edhe me ndërtimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe promovimin e punëve të tij për fondacione të ndryshme. Por, në një kohë shtrëngimesh e kufizimesh kombëtare, ndjekja e parave gjithandej konsiderohet e rrezikshme sa lakmia.

“Është thjesht e pakëndshme”, thotë Paul Whiteley, profesor në Essex University, i specializuar në analizimin e sjelljeve në publik.

“Mesazhi është se ai do të bëjë gjithçka për paratë”.

Në të njëjtën kohë, kujtimet e ish-kolegëve të sapo publikuara pas disfatës së Partisë Laburiste nuk kanë bërë asgjë për të gjallëruar kujtimin e tij si një kryeministër prej dhjetë vitesh.

Siç thotë edhe analisti i “The Guardian”, Gary Younge, “ajo çfarë del në pah tashmë është se ata që ishin në krye të qeverisë së fundit, nuk janë më personazhe të jashtëzakonshme që bindin botën me vullnetin e tyre, por janë individë të ngushtë që qëndrojnë larg çështjeve thelbësore dhe luajnë një rol dytësor, kanë fiksimet e tyre me xhelozi të vogla, hakmarrje patetike dhe konflikte të kota”.

Historia mund të jetë një gjykatëse e butë, por tani për tani Blair duhet t’i hedhë sytë jashtë Britanisë për një gjykim më të butë sesa brenda vendit të tij. (Newsweek)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›