E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota e di si luan Edi Rama

Dritan Prifti

Edi Rama, ky jo-socialist por kryetar i Partisë Socialiste, vazhdon të godasë të ardhmen e Shqipërisë me gjithë urrejtjen që e karakterizon. Disa deputetë jo-socialistë, por anëtarë të Partisë Socialiste, i shkojnë pas në këtë akt të turpshëm anti-kombëtar. Dhe të gjithë këta shpresojnë se bota që na monitoron do t’i shkojë mbas në marrëzinë e tyre, për të frenuar integrimin e Shqipërisë në BE. BE dhe bota demokratike kanë rregulla dhe parime, të cilat i respektojnë pavarësisht ngjyrave partiake. Pavarësia e vendimeve të formës së prerë të gjyqësorit është e pacenueshme dhe e patjetërsueshme nga politika në çdo vend demokratik dhe për çdo lider demokrat, përveç Edi Ramës. Rruga kushtetuese dhe ligjore, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike është zgjidhja që kërkojnë të gjithë, përveç Edi Ramës. Zgjedhjet e 2009 në Shqipëri janë certifikuar nga të gjithë si zgjedhjet më të mira në Shqipëri dhe që plotësuan standardet demokratike, përveç Edi Ramës. Këto të vërteta, bota që na vëzhgon i di.
Bota e di që Edi Rama është zgjedhur 3 herë kryetar Bashkie në Tiranë me zgjedhje të kontestuara politikisht brenda vendit, dhe të kritikuara seriozisht nga raportet e OSBE/ODIHR. Në rastin kur Edi Rama ka fituar vetë nga zgjedhje të kontestuara, ai nuk ka folur asnjë fjalë për transparencë zgjedhjesh. Pra standardi për transparencë qenka i rëndësishëm vetëm kur Edi Rama humb zgjedhjet.
Bota e di që Edi Rama është autori i vetëm i reformës zgjedhore që solli zgjedhjet e 2009. Edi Rama ndryshoi në 4 orë Kushtetutën e vendit dhe në pak ditë ndryshoi Kodin Zgjedhor siç donte ai. Sali Berisha, duke ditur që Edi Rama ose nuk futet në zgjedhje ose nuk i pranon ato, i dha atij 100% autorësi të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të 2009, për të shmangur prishjen e zgjedhjeve nga PS. Edi Rama e pranoi anëtarësinë e reformës zgjedhore, jo sepse kishte synim transparencën dhe ndershmërinë e zgjedhjeve, por sepse donte të eliminonte me atë reformë një aleat si LSI. Edi Rama për herë të parë në historinë e Shqipërisë i bëri komisionet zgjedhore dy partiake, të kontrolluara gjysmat nga PS ose nga PD, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën maksimale në administrimin e zgjedhjeve nga gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
Bota e di si u soll Edi Rama me grevën e urisë së 9 deputetëve në Kuvend, që kishte synimin e vetëm ndershmërinë dhe transparencën më të madhe në zgjedhje. Ndërkombëtarët e mbajnë mend shumë mirë, si Rama i bënte presion të mos ndërhynin në punët e politikës dhe të mos mbështesnin grevistët deputetë, të cilët kërkonin para zgjedhjeve atë që kërkon Rama sot, pas zgjedhjeve. Synimi për të eliminuar me çdo çmim një aleat, i kishte zënë sytë Ramës. Ambasadori i OSBE e mban mend shumë mirë se si ulëriti Edi Rama, kur z. Bosch në përkrahje të kauzës së grevës së urisë, tha se komisionet nuk duhet të kontrolloheshin nga 2 parti vetëm. Atëherë Rama kërkoi që bota të mos ndërhynte, kurse sot ai kërkon ndërhyrje meqë hallin e ka ai. Atëherë bota nuk ndërhyri në përkrahje të grevës së urisë, pavarësisht se kauza ishte shumë më e drejtë dhe koha shume më e përshtatshme. Sot Edi Rama, meqë humbi zgjedhjet që projektoi vetë, i kërkon botës të ndërhyjë për interesat e tij. Por bota demokratike ka standarde të tjera nga ato të personit Edi Rama.
Bota e di që nga 20,000 komisionerët që kishte PS në komisionet e zgjedhjeve, asnjë prej tyre nuk shënoi asnjë vërejtje për procesin zgjedhor në procesverbalet e qendrave të votimit. Bota e di që hetimet dhe transparenca bëhen kur ka fakte, dhe jo kur ndonjë lider kërkon kauza për interesa personale. Ku janë faktet e Edi Ramës, kur komisionerët nuk kanë vërejtur asnjë problem në qendrat e votimit? Në kushtet e mungesës absolute të fakteve, veprimet e Edi Ramës dhe jo-socialistëve të tjerë nuk i justifikon askush.
Bota e di që zgjedhjet u certifikuan me vendim të formës së prerë nga Kolegji Zgjedhor, si gjykatë supreme e zgjedhjeve. Bota e di që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi 7 me 0 rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të 2009. Votuan kështu dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga Edi Rama në KQZ. Bota demokratike njeh institucionet kushtetuese zgjedhore si certifikuesin e zgjedhjeve.
Bota e di që Edi Rama e ka rrugën e Gjykatës Kushtetuese të hapur për të kërkuar interpretim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ, dhe për të kuptuar nëse ka të drejtë ai të hapë kutitë e votimit. Por Edi Rama nuk pranon të mbështetet te Kushtetuta dhe shteti ligjor.
Bota e di që zgjedhjet e 2009 u monitoruan nga mijëra vëzhgues vendas dhe të huaj, dhe së tashme ka një raport të OSBE/ODIHR që i certifikon këto zgjedhje si më të mirat të bëra në Shqipëri. Bota nuk i ndryshon qëndrimet nga fakti se humbi Edi Rama.
Bota e di dhe po e shpreh fort që greva e urisë dëmton imazhin e Shqipërisë dhe procesin e integrimit evropian. Ata habiten si Edi Rama vazhdon këtë aventurë anti-shqiptare, me pretendime gjoja të transparencës.
Unë jam i sigurt dhe për diçka tjetër: Bota e di që Edi Rama nuk ka problemin e transparencës së zgjedhjeve të 2009, por se ka frikë nga zgjedhjet lokale që po vijnë, pra ka frikë për karrigen e vet. Ai e di që zgjedhjet e Tiranës i ka të humbura përballë koalicionit PD/LSI. Ai e di që me zgjedhje të ndershme, ai Tiranën nuk mund ta fitojë sërish. Në këtë mënyrë, vetëm për karrigen e tij, ai po kërkon që të destabilizojë vendin, për të ardhur në pushtet në mënyrë revolucionare.
Por revolucionin me të ardhmen e Shqipërisë në 1991 e humbi dhe daja i tij i Byrosë Politikë, dhe baballarët e Byrosë Politike të deputetëve të tij. S’ka asnjë shans që pushteti të merret me dhunë sot në Shqipëri. Edhe bota e di këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›