E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Rama përgjegjës për jetën e grevistëve, Kreu i PS: I gatshëm të hyj në grevën e urisë



Bashkimi Evropian flet për herë të parë, për grevën katër ditore të urisë së opozitës përpara kryeministrisë. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule tha dje se ka komunikuar me kryeministrin dhe liderin e opozitës për situatën politike në Tiranë teksa shtoi se Rama ka përgjegjësi për shëndetin e grevistëve. Në përfundim të takimit dy ditor komiteti Shqipëri- BE nuk arriti të dalë në një deklaratë të përbashkët për shkak të qëndrimit të kundërt mes PD e PS. Ndërkohë Mesila Doda e PD dhe Taulant Balla i PS akuzuan partitë kundërshtare për mos hartimin e deklaratës.
Fule
Duke folur në një prononcim për mediat në përfundim të takimit ndërparlamentar Shqipëri- BE e stabilizim asociimit, Fule tha se “kam qenë në kontakt sot me kryeministrin dhe eksponentë të Partisë Socialiste dhe u bëra edhe njëherë thirrje atyre për të gjetur një zgjidhje, për të pasur sërish një Parlament funksional e kështu të lejojnë Komisionin të jetë më pozitiv përsa i përket vlerësimit për Shqipërinë. Greva e urisë po përkeqëson situatën dhe ia kam bërë të qartë zotit Rama se ai do të mbajë përgjegjësi personale nëse shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve përkeqësohet”, deklaroi Fule. Sipas tij të dyja palët qeveria dhe opozita kanë përgjegjësi për krizën politike. “Unë jam vërtet i shqetësuar për mungesën e dialogut politik konstruktiv si dhe mungesën e funksionimit të plotë të Parlamentit. Ky është shqetësimi i përgjithshëm. Por, unë jam shumë i shqetësuar nga kjo grevë urie pasi kjo rrezikon t’i ashpërsojë edhe më tej qëndrimet. Eventualisht, këto rreziqe mund të çojnë në shtimin e konfrontimit. Dhe pika e fundit në këtë çështje të rëndësishme është diçka që unë e kam përsëritur disa herë se të gjitha partitë politike, ato në qeveri dhe ato në opozitë, kanë përgjegjësi të gjejnë zgjidhje për situatën aktuale politike, bazuar në dy parime - kornizën kushtetuese dhe transparencën”, tha Fule në një intervistë për BBC. Në të njëjtën kohë zyrtari i lartë i Brukselit vuri theksin te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Shqipëria duhet të ecë përpara me zbatimin e ligjeve, me planin, aksionet dhe strategjisë së antikorrupsionit dhe ndërmarrjen e hapave konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe të jetë eficente në hetimin dhe gjykimin e proceseve. Në të dyja këto fusha duhet të arrihen rezultate konkrete. Situata nuk ka ndryshuar, është përkeqësuar. Derisa zgjidhja nuk gjendet, të dyja forcat politike ndajnë të njëjtat përgjegjësi. Kjo nuk është një situate pozitive ndërsa po përgatitet opinioni për Shqipërinë”, tha Fule. Sipas tij “Shqipëria duhet të vendosë të zbatojë një strategji për reformën në drejtësi, sepse duhen më shumë përpjekje që proceset gjyqësore të mos zvarriten tej afateve ligjore, si dhe të respektohet parimi i paanshmërisë, transparencës, pavarësisë dhe besueshmërisë. Kjo është dhe një nga kërkesat e hershme dhe në kuadër të stabilizim asociimit me Shqipërinë”. Por ndërsa kritikoi Tiranën zyrtare për situatën politike, ai vlerësoi performancën ekonomike të Shqipërisë. Komisioneri për Zgjerimin tha se paraqitja fiskale e vendit është mbresëlënëse. Ndërsa eurodeputetja Tanja Fajon tha se Shqipëria duhet të tregojë rezultate konkrete përsa i përket plotësimit të kushteve për heqjen e vizave. Përfaqësuesja e Qeverisë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha në takim se “Z. Fule, është e natyrshme për një njeri të ushqejë iluzione dhe shpresa. Ne jemi të prirur të mbyllim sytë ndaj një të vërtete të dhimbshme dhe të dëgjojmë atë sirenë që shëron plagët. Kjo ka ndodhur dhe me Z. Rama. Ai është humbësi i zgjedhjeve të 2009-s dhe nuk ka asgjë të keqe me këtë. Por të kesh makthin e humbësit dhe iluzionet e fituesit është disi e komplikuar”.

“Shqipëria meriton vizat e statusin”
Deputeti i PS-së në delegacionin shqiptar në takimin ndërparlamentar në Parlamentin Evropian, Arben Malaj tha dje se në vend duhet të zgjidhet sa më shpejt kriza politike. “Jam krenar që në Bruksel përfaqësoj vendim tim, i cili ka kontribute shumë pozitive për paqen dhe prosperitetin në rajon, duke eksportuar kështu vlera pozitive tek shqiptarët e rajonit dhe përtej tij”, tha Malaj duke argumentuar më pas arsyet pse Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave së bashku me statusin e vendit kandidat. “Nuk jemi këtu për të ekspozuar krizën e vendit tonë, por si deputetë të të njëjtit vend të kthjellojmë situatën e vështirë dhe domosdoshmërinë për zgjidhjen e krizës. çdo vonesë do të rrisë impaktet negative në ekonomi që edhe pas zgjidhjes së krizës do të kërkojnë kohë të rikuperohen”.

Meta: Ka ende hapësira për dialog
Zv.kryeministri Ilir Meta tha në një prononcim për mediat se forcat politike kanë ende hapësirë për të dialoguar në mënyrë që siç e tha ai të mos krijohen barrikada të panevojshme. “Do t`i ftoja edhe një herë të marrin më shumë përgjegjësi, në një moment kur nga ana e maxhorancës dhe Qeverisë është bërë i qartë vullneti për dialog. Natyrisht kjo duhet të ndodhë duke evituar përpjekje që kërkojnë të krijojnë barrikada të panevojshme, ndërkohë që mundësitë e dialogut jo vetëm që nuk kanë shteruar por e theksoj, që ka hapësira të mjaftueshme duke kombinuar transparencën dhe respektin për kushtetutën e vendit”, tha dje Meta. Duke komentuar deklaratat e protestës së opozitës kreu i diplomacisë shqiptare tha se “duhen evituar alternativat të cilat janë bërë publike për të zgjedhur midis jetës apo vdekjes, sepse unë besoj se të gjithë në këtë vend kanë zgjedhur alternativën e integrimit evropian, ku besoj se kjo është një zgjedhje edhe e Partisë Socialiste”.

Aldo Bumçi
Deputeti i PD-së në takimin me eurodeputetët e Parlamentit Evropian, Aldo Bumçi tha në takimin e djeshëm se lënia e Shqipërisë dhe Bosnjës jashtë vendeve që përfitojnë heqjen e vizave krijon përshtypjen e ndarjeve fetare në Ballkan. “çfarë mesazhi është ky, që problemet e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë e Serbisë janë problem i Shqipërisë? Ky është mesazh shumë i gabuar. Së dyti, të lënurit mënjanë në rajon i Shqipërisë dhe Bosnjës jep mesazhin negativ të ndarjes fetare dhe nuk ndihmon aspak”, tha Bumçi. Ndërsa eurodeputetja Doris Pack theksoi se fenomeni me azilkërkuesit si në rastin e Maqedonisë dhe Serbisë nuk duhet të ndodhë më. “Kjo nuk ka të bëjë me fenë dhe aspak me shqiptarët. Ju lutem na besoni”, tha Pack.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›