E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva jonë

Ervin Bushati*

Nga dita e premte, mbi dyqind qytetarë të Shqipërisë, në mes të Evropës, janë detyruar të hyjnë në grevë urie. Ky aksion sublim demokratik është një mënyrë superiore, për të transmetuar atë mesazh që Qeveria e radhës nuk pranon të marrë në asnjë formë komunikimi. Ashtu si në fundin e diktaturës që kaluam si shoqëri, një grup kaq i madh qytetarësh marrin një nismë demokratike të përmasave të tilla, si politike, ashtu dhe njerëzore. Ashtu si para fundit të një diktature, një grup prindërish dhe bijsh kanë marrë hapin e pakthyeshëm drejt një zgjidhje të demokracisë.
Greva e urisë, që po mbahet para zyrave të Kryeministrisë, është një fazë politikë që e ka ingranuar realitetin tonë shoqëror drejt një lëngimi për një zgjidhje të shpejtë dhe të paqtë. është logjike dhe shumë e thjeshtë për të parë pakthyeshmërinë e këtij aksioni dhe normalitetit të jetës institucionale dhe politike, pa një zhvillim ndryshe nga ajo që kemi parë këta 8 muaj nga përfundimi procesit zgjedhor të viti të kaluar.
Të gjithë jemi dëshmitarë se si gjithë aparati qeveritar, politik dhe administrative i partisë së pushtetit, përpiqen që në sinkron dhe nën komandë të injorojnë një realitet që sot nuk mund të injorohet. Sido që të jetë interpretimi politik apo dhe aksioni i ndërmarrë nga arkitekti i pushtetit sot, nuk është realiste që të bëjë sikur nuk e shikon se çfarë po ndodh në mes të Tiranës, 10 metra nën dritaren e zyrës së tij.
është ireale dhe tërësisht përbuzëse, mënyra se si Berisha nuk do të pranojë që sot shoqëria jonë është nën efektet e një krize të thellë demokracie dhe ekonomie. Demokracia, sistemi i përfaqësimit dhe vullneti i qytetarëve, nuk janë funksionale në më të mirën e rastit; dhe shteruese dhe asfiksuese në abuzivitetin e pushtetit.
Shoqëria dhe ekonomia shqiptare janë prej 2 dekadash nën kapjen e një pushteti shushunje. Me paaftësinë dhe abuzimin qeverisës, pushteti është kthyer kundra interesave të qytetarëve të këtij vendi. është Qeveria, e cila shkurton burimet njerëzore, duke përzënë në emigrim profesionistët dhe studentët më të aftë. është Qeveria ajo që prej vitesh përvetëson tokat dhe pronat e përbashkëta, që ne si shoqëri ndërtuam në vite me shumë mund e gjak. është Qeveria që vazhdon të shterojë kapitalin shqiptar, atë kapital që me punë e djersë e krijon biznesi i shfrytëzuar vendas. Qeveria shushunjë është ngjizur në errësirën e munguar të një vote transparente.
Realisht në Shqipëri biznesi zë 2/3 e GDP dhe Buxheti 1/3. Në Evropë, mesatarisht shtetet zënë 50% te ekonomisë. Kjo do të thotë që Shqipëria është një vend thellësisht në varësi dhe kontroll të kapitalit privat. Si rrjedhim, rritja dhe zhvillimi i ekonomisë në gjithë këto vite vjen ekskluzivisht nga biznesi, jashtë kontrollit të shtetit. Analiza shpalos të vërtetën e hidhur mbi ekonominë tonë: një organizëm me një zemër të fuqishme biznesi, të përfaqësuar nga kapitali shqiptar - dhe një tru të atrofizuar, te përfaqësuar nga Qeveria shqiptare.
Përkundrazi, biznesi zhvillohet pavarësisht gjithë abuzimit, shpërdorimit dhe përvetësimit që i shkakton shteti: biznesi vendas, një organizëm i lodhur nga paraziti që mbart mbi kurriz - shteti - i cili ushqehet me gjakun e kapitalit tonë, ndërsa shkakton vetëm plagë dhe infekton. Autoritetet e shtetit sot janë me plot fjalën "hajdute me uniformë". Kjo është rrjedhojë direkte e mungesës së përgjegjshmërisë para ligjit dhe para votës. Heqja e papërgjegjshmërisë është baza e çfarëdo sistemi organizativ.
Para dy dekadash, ne si shoqëri rrëzuam diktaturën, ndërsa pamë sistemin socialist të falimentonte. Ekonomia e tregut mori jetë dhe zhvillim vetë, si një format logjik dhe funksional që motivon dhe shpërblen njeriun që punon dhe përpiqet. Ndërkohë, e kundërta ndodhi me sistemin politik që nuk u zhvillua dot në një aparat demokratik dhe funksional, në ndihmë të ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Aparati i votës sot ka pamje evropiane - por ka mentalitet autoritarist.
Në ekonomi paguhet me para - në demokraci paguhet me votë. Të dyja këto janë monedha të patjetërsueshme për një realitet funksional dhe të shëndetshëm. Ky realitet do të ndryshojë, kur në politikë të zbatohet i njëjti parim i përgjegjshmërisë si në treg: dhe tregu ynë politik duhet të përballet me fuqinë e qytetarëve, që sot janë në ditën e 5 të grevës së urisë.
*Nënsekretar për Programin në PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›