Damian Gjiknuri - “Gjykata nuk ndalon hapjen e kutive”
Partia socialiste iu përgjigj menjëherë kreut të grupit parlamentar demokrat, Patozi. Damian Gjiknuri tha dje se nuk ka vendim gjykate që ndalon hapjen e kutive të votimit. "Nuk ka asnjë vendim gjykate që të ndalojë hapjen e kutive, ose hetimin e materialeve zgjedhore dhe dokumenteve zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit nga ana e Parlamentit. Kjo është një e drejtë kushtetuese e padiskutueshme, një hetim parlamentar ka të drejtë të dijë kontrollin se si është zbatuar ligji nga administrata shtetërore, pra nga administrata zgjedhore dhe në themel të kësaj është këqyrja, administrimi, hetimi i këtij dokumentacioni për të parë çfarë nuk ka shkuar mirë me zgjedhjet e së kaluarës, çfarë mund të bëjmë më mirë për të ardhmen", tha Gjiknuri. Sipas tij, PS kërkon një hetim parlamentar pa cenuar rezultatin e zgjedhjeve. "Ajo ç'ka kërkojmë tani është të bëjmë hetimin parlamentar duke lënë këtë rezultat në fuqi, duke lënë këto vendime gjykatash në fuqi, sepse nuk e kemi këtë kompetencë", u shpreh Gjiknuri.