E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të ngrihet Instituti i Onkologjisë



Shumë shpejt vendi ynë do të ketë një institut të mirëfilltë onkologjie. Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka kërkuar të merren të gjitha masat për kthimin e shërbimit të onkologjisë në Institut. Deklarata u bë dje gjatë pritjes që kreu i Qeverisë i bëri delegacionit të rajonit të Friuli-Venecia-Guilias (FVG). Propozimi për krijimin e Institutit të Onkologjisë është bërë pak kohë më parë nga komiteti i luftës kundër kancerit, i kryesuar nga zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia. Qeveria do të mbështesë maksimalisht për realizimin konkret të kësaj nisme. "Vetëm pak ditë më parë kërkova që të punohet për kalimin e shërbimit të onkologjisë pranë QSUT-s në Institutin Onkologjik dhe se bashkëpunimi me qendrat më të mira të fushës në rajonin e FVG do t`i shërbejë jo vetëm diagnostifikimit e trajtimit më të mirë të sëmurëve, por dhe përmirësimit të aktivitetit shkencor", tha Berisha gjatë takimit. Duke vlerësuar përparësitë që ka rajoni(FVG), Kryeministri u shpreh se çështja e personave me aftësi të kufizuar është trajtuar me kujdes nga Qeveria dhe për këtë kategori janë bërë investime të mëdha, megjithatë është shumë e mirëpritur ndihmesa e tyre. Ai shprehu mirënjohje në radhë të parë për ndihmesën në trajtimin e pacientëve shqiptarë, si dhe theksoi se bashkëpunimi i tyre ofrohet në një moment shumë të rëndësishëm për shëndetësinë dhe reformën e saj. Në fund të këtij takimi, kreu i delegacionit Vladimir Kosic vlerësoi ndjeshmërinë në fushën e shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›