E Diel, 1 Nëntor 2026

“Urdhri i Farmacistit, tejkalim kompetencash”



nertila maho

Urdhri i Farmacistit ka tejkaluar kompetencat që i jep ligji. Kjo është përgjigja zyrtare e Qendrës Kombëtare të Licencimit. Drejtoresha e Eneida Guria sqaron se prej kohesh ky Urdhër është bërë pengesë për licencimin e farmacive të reja, duke ngritur pretendime të pabazuara në ligj. "Nuk i takon Urdhrit të Farmacistit të vendosë një kriter që ka të bëjë me subjektin tregtar dhe me licencimin e farmacisë. Ne mendojmë që kriteri i distancës është një barrierë për farmacistët e rinj, sepse janë ata që duan të hyjnë në treg", sqaron Guria. Në një intervistë dhënë gazetës, drejtuesja e QKL, sqaron debatin e fundit mes Urdhrit, QKL-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, amendimet e fundit në ligjin për lejet e licencat, edhe pse Urdhri nuk ka të drejtë, kur pretendon zbatimin e distancës 100 metra mes farmacive, kontrastin mes liberalizimit të licencave nga ana e QKL, tarifat që subjektet e reja duhet të paguajnë tek Urdhri i Farmacistit dhe praktikat arbitrare nga ana e Urdhrit, që sipas saj po bëhen barrierë për farmacistët e rinj. Të gjitha në një intervistë që sqaron, "të vërtetat" e një debati që zgjat prej disa muajsh
Cili është roli i QKL-së në lidhje me debatin e fundit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Urdhrit të Farmacistit?
Nuk flitet për rol të QKL-së. Në bazë të ligjit të ri për licencat me vendim nr. 538, të Këshillit të Ministrave, në bazë të të cilit ne operojmë, farmacitë si aktivitet tregtar licencohen nga Qendra Kombëtare e Licencimit. Ligji "Për lejet dhe licencat" thotë që me akt nënligjor përcaktohen kategoria dhe kriteret. Këto janë kritere të vendosura me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrit përgjegjës për Ekonominë, që na mbikëqyr ne si qendër. Ligji “Për lejet dhe licencat” ka bërë gjithashtu dhe një amendim të ligjit për barnat dhe amendimi pak a shumë thotë që "licencimi i farmacive bëhet në bazë të ligjit "Për lejet dhe licencat" dhe specifikon kategorinë që ne kemi, secila kategori është me numër p.sh kategoria e farmacive është 27a dhe 27a1. Këto janë dhe kodet që marrin licencat.
A keni hasur vështirësi nga Urdhri i Farmacistit për licensimet?
Sa u përket vështirësive që kemi hasur nga Urdhri i Farmacistit, ai certifikon farmacistët pra, individët në profesionin e tyre, jo farmacinë si subjekt tregtar dhe aktivitet ekonomik. Një ndër kriteret që ne kemi është që certifikatën për "drejtuesin teknik" e kemi pranuar nga Urdhri i Farmacistit, sepse jemi informuar nga Ministria e Shëndetësisë që përpara se të ekzistonim ne, këto certifikata i lëshonte Urdhri i Farmacistit. Kriteret që përdor QKL-ja në bazë dhe të ligjit të licencave dhe në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave 538 për të licencuar një farmaci janë: përshtatshmëria e njohurive dhe e eksperienca e personelit(drejtuesi teknik) si dhe përshtatshmëria e mjediseve, pajisjeve dhe teknologjisë me standardet e shërbimit.
çfarë do të thotë kjo në kritere reale dokumentare që paraqet subjekti tek QKL-ja?
Kërkojmë certifikatën për drejtuesin teknik, që provon se është farmacist me profesion. Në rast se subjekti që licencohet nuk është farmacist dhe ka një farmacist si drejtues teknik të punësuar, ne kërkojmë një kontratë pune, e cila përcakton kush është subjekti punëdhënës, kush është individi punëmarrës që do të luajë rolin e drejtuesit teknik me kohë të plotë. Kërkojmë një vetëdeklarim nga ana e drejtuesit teknik që nuk do të luajë këtë rol në një farmaci tjetër, pasi ligji përcakton që një farmacist mund të jetë drejtues teknik me kohë të plotë vetëm në një farmaci. Ndërsa për përshtatshmërinë e mjedisit, teknologjisë dhe pajisjeve ne kërkojmë dokument pronësie ose dokument qiraje për objektin, ku do ngrihet farmacia. Kërkojmë një planimetri, pasi rregullorja në fuqi, e cila rregullon pjesën e farmacive thotë që ambienti për farmaci nuk duhet të jetë më i vogël se 35 m2 dhe një vetëdeklarim nga subjekti aplikues që do të ketë të gjitha pajisjet dhe do përmbushë kushtet sipas legjislacionit në fuqi. Këto janë të vetmet kritere që KM ka përcaktuar në bazë të ligjit “Për lejet dhe licencat” dhe në bazë të dispozitave të përgjithshme të kësaj VKM-je.
Në një urdhër të fundit të Urdhrit të Farmacistëve në lidhje me dhënien e certifikatës për ushtrim profesioni kërkohet dhe distancë mbi 100 metra. Ndërkohë që nga Ministria e Shëndetësisë një urdhër i tillë është cilësuar si abuzim?Ju ç’mendoni?
Një ndër debatet e hershme mes nesh si QKL dhe Urdhrit të Farmacistëve është kriteri i distancës, që është në ligjin e barnave, por qëndrimi ynë i është bërë shumë i qartë Urdhrit të Farmacistit në formë shkresimi që në muajin e parë të operimit. Kriteri i distancës për ne nuk qëndron, pasi siç ju thashë, këto janë të vetmet kritere që janë përcaktuar në bazë të ligjit të ri “Për lejet dhe licencat” për këtë kategori licencimi. Me sa duket, Urdhri i Farmacistit nuk bie dakord me këtë pjesë dhe me një vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistit të datës 29 janar 2010, kriterin e distancës e ka vendosur si kriter në certifikimin e farmacistëve. Pjesa e ankesave që ne kemi pasur nga subjektet është që Urdhri i Farmacistit nuk po lëshon më certifikata të drejtuesit teknik dhe as certifikata anëtarësie, në rastet kur nuk plotësohet kriteri i distancës. Qëndrimi ynë lidhur me këtë është që nuk i takon Urdhrit të Farmacistit të vendosë një kriter që ka të bëjë me subjektin tregtar dhe me licencimin e farmacisë. Deklaratat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë që Urdhri i Farmacistëve në bazë të ligjit që funksionon, është një Urdhër profesionist, që rregullon profesionin e farmacistit dhe jo licencimin e farmacisë si aktivitet tregtar. Mendojmë që me këtë vendim Urdhri ka tejkaluar kompetencat që i lejon ligji, pasi në kriteret që kanë përcaktuar në Statutin e tyre në asnjë vend nuk përmendet distanca si kriter. Pra është thjesht një vendim nga Këshilli Kombëtar i urdhrit dhe madje citohet në vendim që kjo po bëhet duke qenë se QKL nuk po zbaton distancën. Ndërkohë që ne mendojmë që kriteri i distancës është një barrierë për farmacistët e rinj sepse janë ata që duan të hyjnë në treg. Ky kriter nuk ka pse të vendoset me kaq ngulm sepse tregu vetërregullohet dhe farmacitë nuk jetojnë për shkak të distancës, por për shkak të shërbimit. Nëse zbatohet distanca është kufizim.
A ka pasur realisht ankesa nga farmacistët në lidhje me pengesat dhe vonesat e shkaktuara nga Urdhri i Farmacistëve, duke pasur parasysh këtu dhe faktin e tarifave që duhet të paguajnë pranë këtij urdhri, ndërkohë që procedurat nga ana e institucioneve janë drejt liberalizimit?
Pjesa shtetërore e QKL-së, që në momentin që u lançua si frymë ishte liberalizimi i procesit të licencimit jo vetëm për farmacitë, por për të gjithë kategoritë që ne licencojmë, ndërkohë që në këtë rast Urdhri i Farmacistit po vendosunjë rregull tjetër dhe ka marrë kompetenca që ne mendojmë se nuk i takojnë Urdhrit të Farmacistëve t'i marrë përsipër pasi siç thotë dhe ligji “i vetmi autoritet që përcakton kriteret është Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit përkatës dhe atij të Ekonomisë”. Ankesat nga farmacistët janë të kësaj natyre, që kërkojnë një certifikatë anëtarësie, apo për drejtuesin teknik, ndërkohë që plotësojnë të gjitha kushtet e tjera. Farmacistët kanë marrë me qira apo kanë investuar për një objekt dhe gjenden përballë ë faktit që një organ siç është Urdhri i Farmacistit, që është ent publik nuk i licencon se ka ngritur një rregull të vetin për certifikimin e farmacistëve. Me aq sa jemi njohur ne me bazën e tyre ligjore, Urdhri dhe ligji për barnat, në pjesën e drejtuesit teknik përcakton që këtë rol mund ta luajë çdo shtetas shqiptar ose i huaj që ka mbaruar Farmacinë, që ka dy vjet përvojë dhe është anëtar i Urdhrit të Farmacistit. Këto janë kushtet bazë dhe ai që i plotëson, mund të bëjë rolin e drejtuesit teknik në një farmaci dhe jo në dy, por në këtë rast Urdhri po vendos si kriter edhe distancën, dhe barrierën për licencimin po e vendosin ata, sepse është një ndër kriteret tona që subjektet nuk janë në gjendje ta sjellin.
Si ka qenë bashkëpunimi i deritanishëm me institucionet (ministri dhe Urdhër)?
Në me Ministrinë e Shëndetësisë kemi bashkëpunuar për të adresuar problemin, sepse ankesa nga farmacistët vijnë te Ministria, te ne dhe mbase edhe tek Urdhri dhe zgjidhja është kjo që ne do t'i qëndrojmë strikt asaj çka ligji përcakton për drejtuesit teknikë dhe kriteret që ka përcaktuar Ministria e Shëndetësisë për licencimin e farmacive. Mendoj që farmacistët kanë të drejtën e tyre që të ankohen në lidhje me vendimet që po merr Urdhri i Farmacistit, pasi ky urdhër është i vetorganziuar dhe organet janë të zgjedhura dhe tërë farmacistët në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë anëtarë të këtij Urdhri, nëse duan të jenë në profesion.
Mesazhi juaj për farmacistët?
Nëse mendojnë që i plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj për të qenë drejtues teknik në një farmaci, atëherë në formë shkresore tek ne duhet të vërtetojnë që përmbushin këto kritere që ne kemi në VKM dhe është e drejta e tyre që të ankohen për veprimet e një Urdhri që rregullon të drejtat e tyre. Duhet të kuptojnë mirë pjesën e kompetencave, pasi Urdhri rregullon profesionin, kurse licencimin e bën QKL-ja dhe janë dy procese të ndara. Nëse një person apo individ i plotëson kriteret e përcaktuara në ligjin e Urdhrit të Farmacistit dhe në statutin e tyre, atëherë asnjë vendim tjetër përtej atij nuk duhet t'i pengojë ata për të ushtruar profesionin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›