E Diel, 1 Nëntor 2026

Veriu i Kosovës, as autonimi as shkëmbim territoresh

Ky është vlerësimi i autoriteteve kosovare menjëherë pas takimit të sotëm në Prishtinë me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Guido Vestervele. Presidenti Fatmir Sejdiu pohoi se rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave janë plotësisht të papranueshme për institucionet e Kosovës.

“është tërësisht irracionale që dikujt t’i teket të bëjë plane për autonomi të pjesës veriore të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të bisedojë me Serbinë, por kurrë dhe në asnjë mënyrë për sovranitetin e Kosovës”, theksoi kryetari i shtetit kosovar.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili u shpreh se rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave janë jashtë çdo realiteti. “Nuk do të ketë autonomi për veriun e Kosovës dhe as shkëmbim territoresh me ndonjë vend tjetër fqinj”, nënvizoi Thaçi.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Vestervele, pohoi se nuk ka se çfarë të thotë më shumë përveçse “integriteti territorial i Kosovës është i garantuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›