Sherri për simbolet politike, dy të plagosur
POLIÇAN – Sherri me thika ndërmjet simpatizantëve të partive në Poliçan shkakton dy të plagosur. Incidenti ndodhi dje në mes të këtij qyteti ndërmjet katër të rinjve, të ndarë në mbrojtje të simboleve politike të dy subjekteve zgjedhore. Policia e Poliçanit konfirmoi dje se janë plagosur vëllezërit Leonard dhe Qetsor Kapdiu, 23 dhe 24 vjeç, të njohur si simpatizantë të PS-së. Gjatë sherrit ata janë qëlluar me thikë nga simpatizantët e LSI-së, Ferdinand Kanani, 24 vjeç dhe shtetasi me inicialet A. A., 18 vjeç. Mësohet se dy të plagosurit kanë provokuar dy të rinjtë në lokalin e tyre dhe nuk i kanë lejuar të vendosin një poster. Sipas policisë, dy djemtë kanë dëshmuar pas shoqërimit se, kishin reaguar dhunshëm, pasi dy të tjerët tentuan ta grisnin posterin e forcës politike që vitet e kaluara ka pasur mbështetjen më të madhe të qytetarëve. Përplasja me fjalë mes të rinjve ka sjellë konfrontimin fizik mes tyre, deri në nxjerrjen e thikave. Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë që në këtë ngjarje të mos përfshiheshin dhe familjarë të dy palëve. Dy të lënduarit janë përcjellë për në spital, ku ndodhen jashtë rreziku për jetën. Ndërsa, çështja ndaj Kananit dhe 18-vjeçarit i ka kaluar për hetim prokurorisë. d.xh