E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota nderon Kaczynskin

Në Poloni vazhdon pikëllimi dhe nderimi për viktimat e rrëzimit të aeroplanit në Smolensk të Rusisë, me ç’rast u vranë 96 vetë, përfshirë edhe presidentin Lech Katzynski, si dhe liderë të tjerë politikë, ushtarakë e fetarë.

Në këtë vend po mbahen shtatë ditë zie, ndërsa ditë zie gjatë ditës së sotme po mbahet edhe në shtetet anëtare të BE-së dhe në Rusi.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se udhëheqësit polakë, që humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit, kanë lënë “një trashëgimi, që do të jetoj përherë”.

Njëherësh, në Moskë, hetuesit rusë e kanë filluar analizën e provave nga kutitë e aeroplanit.

Aleksander Bastrykin, nga njësia hetuese e prokurorit të përgjithshëm, tha se incizimet konfirmojnë se aeroplani i vjetër i tipit Tupolev, nuk kishte probleme teknike.

Aleksander Alyoshin, nga Shtabi i përgjithshëm i forcave ajrore të Rusisë, tha se piloti i kishte injoruar urdhërat nga kontrolli i trafikut ajror, që të mos ateroj.

Në ndërkohë, pas tragjedisë në Smolensk të Rusisë, Poloninë me gjasë e presin zgjedhjet e jashtëzakonshme presidenciale. Presidenti i Parlamentit të Polonisë, Bronislaw Komorowski, që tash është ushtrues i detyrës së presidentit të vendit, duhet gjithashtu të emëroj edhe komandën e re të ushtrisë. Zgjedhjet duhet të mbahen në afatin prej 60 ditësh nga konvokimi.

Krahas pikëllimit në Poloni, edhe disa shtete tjera kanë vendosur që të nderojnë viktimat e tragjedisë në Smolensk me një ditë zie.

Ishte presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev që vendosi për shpalljen e ditës së zisë në vend, me flamurët në gjysmë shtize dhe televizionet që kanë anuluar të gjitha programet argëtuese.

Të afërmit e atyre që humbën jetën në rrëzimin e aeroplanit ndodhen në kryeqytetin rus, për të identifikuar trupat e të afërmve të tyre.

Rusët janë prekur shumë nga kjo tragjedi e jashtëzakonshme, tufa të panumërta lulesh janë vendosur jashtë ambasadës polake në kryeqytetin e vendit.

Ky është një nga treguesit se si ndoshta tragjedia e së shtunës mund të ndihmojë Rusinë dhe Poloninë t'i japin fund armiqësisë që ka karakterizuar marrëdhëniet e tyre për një kohë të gjatë.

Përveç kësaj, fakti që kryeministri rus, Vladimir Putin, është në krye të hetimit dhe shfaqja të dielën në TV e një filmi të rëndësishëm polak për masakrën e Katyn-it, tregon se qeveria në Moskë tani është e përgatitur që të tregojë se çfarë ndodhi kur policia sekrete sovjetike ekzekutoi me mijëra ushtarakë polakë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Krahas ditës së zisë në shtetet anëtare të BE-së dhe në Rusi, ditë zie gjatë ditës së sotme ishte edhe në Ukrainë, e ditë zie ka paralajmëruar edhe Çekia.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Zi kombëtare do të shpallet edhe në Republikën Çeke dita e varrimit të presidentit polak, Lech Kaczynski dhe e viktimave të tjera të aksidentit të djeshëm ajror në Rusi, njoftoi dje Ministria e Jashtme çeke, në Pragë.

"Presidenti dhe qeveria e Republikës Çeke vendosën të dekretojnë ditë zie kombëtare ditën e varrimit të presidentit polak, Lech Kaczynski dhe e viktimave të tjera të aksidentit të djeshëm ajror në Rusi dhe të mbajnë një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e tyre", thuhej në një deklaratë të ministrisë.

Në anën tjetër, autoritetet në Poloni kanë njoftuar se Kaczynski do të varroset, pas dërgimit në Poloni të të gjitha kufomave të tragjedisë në Smolensk.

Arkivoli i presidentit është sjellë të dielën pasdite në kishën e pallatit presidencial në Varshavë. Deri tani atë kanë mundur ta shohin vetëm anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë, ndërsa duke filluar që nga dita e sotme, homazhe do të kenë mundësi të bëjnë edhe qytetarët.

Familja e tij ka shprehur dëshirën që presidenti të varroset së bashku me bashkëshorten Marien, por trupi i saj ende nuk është identifikuar.

Deri tani janë identifikuar vetëm 14 nga 96 viktimat e kësaj fatkeqësie të rëndë. Për të ndihmuar identifikimin e viktimave, në Moskë ka shkuar dhe grupi i parë i familjarëve të personave të vdekur.

Ceremonia shtetërore për 96 viktimat do të mbahet të shtunën e ardhshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›