E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota në krizë, INSTAT: Ekonomia shqiptare u rrit me 6 për qind

 

Në kulmin e krizës globale, ekonomia shqiptare ka pësuar një rritje të konsiderueshme. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se për 3-mujorin e parë të vitit rritja ekonomike është 6 për qind. Në këtë mënyrë të dhënat nga INSTAT kanë treguar se kriza globale ndryshe nga sa ishte parashikuar, nuk ka ndikuar në rritjen ekonomike të vendit, të paktën gjatë 3-muajve të parë të vitit. Sipas INSTAT-it, në këtë tremujor degët që kanë dhënë kontribut në rritje janë post telekomunikacioni, shërbimet, ndërtimi etj., respektivisht me 22.0 për qind, 15.3 dhe 8.0 për qind. Rënien më të lartë në këtë tremujor e ka shënuar dega e industrisë me -13.2. Konkretisht, sipas të dhënave nga INSTAT, aktiviteti bujqësor në tremujorin e parë të 2009-ës krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 3.5 për qind. Ndërkohë që industria ka rezultuar me rënie. Grupi i industrive pësoi një rënie 13.2 për qind në tremujorin e parë të 2009-ës, krahasuar kjo me tremujorin e parë të 2008-ës. Një rritje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe ka patur sektori i ndërtimit. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2009 u rrit me 8.0 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008. Dega e tregtisë pësoi një rritje prej 0.9 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Aktiviteti i transportit në tremujorin e parë të vitit 2009 u rrit me 3.3 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Si dhe post-telekomunikacioni ka pësuar një rritje prej 22.0 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009, përkundrejt tremujorit të parë të 2008-ës. Gjithashtu dhe dega e shërbimeve në tremujorin e parë të vitit 2009 pati rritje me 15.3 për qind, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›