Vrasja e Kekës, komuna e Kastratit kërkon zbardhjen
SHKODER - Këshilltarët e komunës së Kastratit në Shkodër i kërkojnë Policisë së Shtetit të kërkojë falje publike për njollosjen që iu bë Aleksandër Kekës, pas atentatit të 18 qershorit. Në unanimitet, ata reaguan dje në mbledhjen e tyre të parë pas ngjarjes për vrasjen e këshilltarit të kësaj komune, ndërsa mbajtën një minutë heshtje për kolegun e tyre. Kur akoma Prokuroria nuk ka një deklaratë zyrtare në lidhje me ecurinë e hetimeve, ata i bënë thirrje drejtësisë të zbardhë ngjarjen tronditëse. “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duhet të kërkojë falje publike për akuzat që ka bërë ndaj Aleksandër Kekaj. Ai ishte jo vetëm kryetari i Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe, por edhe anëtar i Këshillit të Komunës së Kastratit dhe anëtar i Këshillit të Qarkut”, thuhej në deklaratën e Këshillit të Komunës. Anëtarët kërkuan që emri i Kekës të mos njollosej kot, por të vihet në vend figura e tij, e njollosur sipas tyre gjatë deklaratës së policisë pas krimit. Madje ata kanë shkuar edhe më tej në deklaratën e tyre, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës. Ata i kërkuan Prokurorisë që të zbardhë ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë duke marrë dënimin maksimal. Ndërkohë burime nga Prokuroria e Shkodrës bëjnë të ditur se hetimet në lidhje me këtë ngjarje vijojnë me intensitet. Sipas tyre, me këto hetime po merren si Prokuroria e Shkodrës, ashtu dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Gjithashtu mësohet se është kërkuar bashkëpunimi edhe me organet e hetimit në shtetin fqinj të Malit të Zi. Por për momentin, për arsye të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëhet asgjë publike, pohojnë të njëjtat burime. r.d