E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Studentët në Itali, si të aplikoni për bursë”

 

Studentët shqiptarë që janë regjistruar në universitetet italiane mund të përfitojnë bursa apo përjashtim nga taksat. Ambasada Italiane në Tiranë, me anë të një deklarate për mediat, sqaron mënyrën e aplikimit. “Studentët që janë regjistruar apo janë në fazën e regjistrimit pranë universiteteve italiane, dhe kërkojnë të legalizojnë dokumentet e nevojshme për përftimin e bursës së studimit apo përjashtimin nga taksat dhe tarifat universitare, mund të caktojnë një takim pranë Zyrës së Legalizimeve të kësaj Ambasade”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, takimi mund të lihet  duke telefonuar në numrin 0900 404 3000 nëse marrin nga një numër fiks dhe në numrin 0900 404 4000, nëse duan të kontaktojnë nga  një telefon fiks apo celular. ”Të interesuarit do të priten me përparësi, prej ditës së hënë, datë 3 gusht 2009 deri ditën e premte, datë 14 gusht 2009”, sqaron ambasada. Të gjitha dokumentet e legalizuara për arsye studimi janë falas. ”Ju rikujtojmë gjithashtu se të gjithë studentët tashmë të regjistruar, krahas dokumenteve për legalizim, janë të detyruar të paraqesin domosdoshmërish dhe vërtetimin e regjistrimit në universitet për vitin shkollor 2009–2010”, saktëson ambasada. Specialistët e saj bëjnë me dije se pasi të kenë mbërritur në Itali, studentët mund të paraqesin dokumentet e legalizuara pranë Zyrave kompetente të universiteteve italiane, në të cilat janë regjistruar. Kjo për të mundësuar kështu përfitimin e shërbimeve për të drejtat e studimit sikurse bursa studimi, përjashtim i plotë apo i pjesshëm nga taksat apo tarifat universitare. Të gjitha njoftimet, si dhe afatet përkatëse janë të botuara në faqen e internetit te Ministrisë së Arsimit, Universiteteve dhe Kërkimit (ëëë.miur.it në nëndarjen “studenti e diritto allo studio”) si dhe në faqet e internetit të çdo universiteti. Ambasada Italiane shpalli disa ditë më parë 525 emrat e studentëve shqiptarë, të cilët janë pranuar në universitetet e këtij shteti. Nga data 16-30 korrik, ata do të kenë mundësi të aplikojnë për t’u pajisur me vizë. Me anë të një deklarate për mediat, ambasada ka saktësuar edhe listën e dokumenteve që duhen si dhe mënyrën e dorëzimit të tyre. Këtë vit nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›