“Gripi i derrit, qarkullojnë forma të lehta të virusit”
Virusi i gripit të derrave është i pranishëm në vend me forma të lehta. Kjo pavarësisht se vendi ynë nuk ka shënuar asnjë rast me A/H1N1. Gjithçka e pranojnë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë. Por sipas këtyre autoriteteve, nuk është vendi për panik, pasi ai mund të shkaktojë komplikacione vetëm te personat që vuajnë nga një sëmundje tjetër. “Aktualisht nuk kemi të konfirmuar asnjë rast të prekur me A/H1N1 në Shqipëri. S’mund të themi që nuk qarkullon virusi. Ai mund të jetë prezent në format e veta, sepse fatmirësisht ky virus nuk shkakton sëmundje të rënda. Në raste të veçanta, kryesisht në persona që vuajnë nga sëmundje të tjera, diabet, azëm, persona me probleme kardiake apo probleme të tjera kronike, mund të preken më rëndë nga të tjerët”, u shpreh dje Gazmend Bejtaj, Drejtor i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, në stinën e vjeshtës gjithë popullata duhet të vaksinohet ndaj gripit të zakonshëm, pasi mund të kemi më vonë një kombinim virusesh që mund të jetë rezistent. “Në vjeshtë mund të kemi një valë të re. Ka të bëjë pikërisht me faktin se dy viruse të kombinuara njëri me tjetrin mund të japin një virus, i cili mund të jetë më vrulent”, tha Bejtaj. Sa i përket vaksinës nuk dihet ende kur ajo do të mbërrijë në vendin tonë, por sipas autoriteteve ajo do të hidhet në treg në muajin shtator. Ndërkohë, përgjigjet e analizave të studentit nga Gjirokastra nuk kanë ardhur ende nga Rumania. Ai rezultoi i prekur nga një grip i tipit A, por që nuk ka të njëjtën epidemiologji si ai i gripit të derrave. Gjithsesi specialistët e ISHP, për t’u siguruar i dërguan analizat jashtë vendit. Tek ne një pjesë e mirë e ekzaminimeve nuk mund të kryhen, në muajin gusht pritet të përfundojë laboratori i ri në ISHP, në mënyrë që të kryhet një gamë më e gjerë. Sakaq bluzat e bardha në Tiranë e në rrethe do t’u marrin kampionë gjaku pacientëve që dyshohen se mund të jenë prekur nga gripi i derrit. Ministria e Shëndetësisë ka dërguar tashmë shkresën zyrtare. Rrjeti i informacionit, masat mbrojtëse dhe gjendja në gatishmëri, janë pikat kryesore për mbajtjen në kontroll të situatës dhe përballimin e një pandemie të mundshme në muajin shtator.
Konfirmimi i virusit
Specialistët kanë pohuar se konfirmimi i virusit në vendin tonë është vetëm çështje ditësh. Tashmë i gjithë rajoni dhe rreth 130 shtete të botës janë në hartën e vendeve të infektuara dhe Shqipëria nuk mundet kurrsesi ta shmangë të njëjtën situatë. Në rast se ne prekemi nga gripi i derrave dhe ai nis të përhapet me shpejtësi, mjekët mendojnë se brenda një jave do të kemi 15 persona të prekur nga ky virus, çka do të bëjë të domosdoshëm që të kemi 10 vende në reanimacion. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe në atë të senatoriumit ka vende të lira, por duket se fluksi i zakonshëm i të sëmurëve e bën të vështirë realizimin e këtij planifikimi.
Vaksina
Në nëntor pritet të nisë aplikimi i vaksinës. Por në vendin tonë pritet të vijë një sasi e vogël, pasi numri i vendeve të prekura që janë futur në listën e pritjes për t’u furnizuar është tepër i lartë. Instituti i Shëndetit Publik ka planifikuar që grupet e para që do të vaksinohen falas do të jenë personeli mjekësor, qeveritarët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, astma, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën 2 vjeç. Kostoja e kësaj vaksine mendohet të jetë 1500 lekë. Nga sa pohojnë specialistët, për të përballuar një pandemi të mundshme, duhet jo vetëm që spitalet të jenë të pajisura me tamiflu por edhe me të gjitha masat mbrojtëse