Vdes legjenda e futbollit fierak
FIER / MAJLINDA RAMA
Humb jetën nga një infarkt futbollisti legjendar i Apolonisë në vitet ’80, Kujtim Majaci. Baba i tre fëmijëve, vetëm 47 vjeç, ndodhej për plazh në bregdetin e Vlorës mesditën e djeshme, kur pati shqetësimet e para. Brenda pak minutash ai ndërroi jetë në spital, duke tronditur jo vetëm familjarët dhe shokët që pati pranë në ato çaste, por dhe të gjithë tifozët e tij kur luante me ekipin fierak e më pas me Kombëtaren. Miqtë e tij tregojnë se ditën e djeshme, bashkë me Kujtimin ndodheshin në bregdetin e Vlorës. “Kishim disa ditë që frekuentonim plazhin, për shkak të temperaturave të larta. Sot Kujtimi, pasi u fut në ujë, filloi të shfaqte probleme me frymëmarrjen e krejt papritur u ndie keq. E nxorëm menjëherë në breg, por na tha se ishte thjesht një shqetësim i vogël, që mund t’i kishte ardhur nga dielli. Nuk kaloi shumë kohë kur u përsërit e njëjta situatë, por me shenja më të forta. Menduam që ta merrnim e ta sillnim në shtëpi për t’u qetësuar. Rrugës gjendja e tij shëndetësore e përkeqësua, ndaj e sollëm menjëherë në spital për t’i dhënë ndihmën e parë. Sapo mbërritëm në spital ai ndërroi jetë. Megjithëse mjekët ndërhynë menjëherë, ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte”. Kështu kanë treguar shokë të Kujtimit, të cilët e kanë shoqëruar atë për në spitalin e Fierit, kur kanë mbërritur dhe familjarë të shumtë. Tepër të tronditur nga humbja e papritur e njeriut të tyre, të afërm të Majacit tregojnë se, edhe pse ishte shkëputur nga futbolli i mirëfilltë, ai vazhdonte të ishte një admirues i tij. Pjesëtarë të familjes së viktimës janë shprehur se Kujtimi do të mbahet mend gjatë nga të gjithë, për atë çfarë ka përfaqësuar jo vetëm në futbollin fierak, por edhe në atë kombëtar. Emri i tij lidhet ngushtë me vitet e arta të ekipit të Apolonisë së Fierit, dhe vdekja e Majacit është një dhimbje e madhe për të gjithë fierakët. “Na ra si bombë një gjë e tillë. U habitëm kur na telefonuan e na thanë se Kujtimi është sëmurë e ndodhej në spital. Me fizikun që kishte, ai mund të përballonte gjithçka. Kjo që ndodhi ishte shumë e rëndë, pasi Kujtimi nuk vuante nga asnjë sëmundje dhe nuk abuzonte me alkoolin. Nuk kemi fjalë për të shprehur atë që ndjejmë, është krejtësisht e pabesueshme”. Prej vitit 1993 kur e la futbollin, Majaci kishte punuar me pasion me brezin e ri, ndërsa vitet e fundit ishte i papunë.
Të dhëna
• 174 gola ka shënuar në të gjithë karrierën
• 10 vjet ka luajtur me ekipin e Shpresave
• 3 ndeshje ka luajtur me Kombëtaren