E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota, nën frikën e një vale tjetër krize

Bota mund të përballet me një valë të re ngjarjesh ekonomike negative, gjë që shkaktoi rënie të ndjeshme të indekseve të bursave nga Azia në Europë dhe Amerikë, bën të ditur media perëndimore. Banka Botërore lëshoi raportin më pesimist të mundshëm, duke parashikuar rikthim shumë të ngadaltë në normalitet të ekonomisë botërore, ndërkohë që qeveria amerikane parashikoi se niveli i papunësisë në këtë vend do të kërcejë në 10 për qind brenda këtij viti. Vetëm pak ditë më parë u njoftua se bankat europiane do të detyrohen të pranojnë edhe 238 miliardë euro të tjera kredi të humbura. "Financial Times" raportonte dje se eurozona e humbi shansin për rikuperim të shpejtë. Edhe bankat amerikane dyshojnë se do të detyrohen të pranojnë si kredi të huaja detyrimet që miliona klientë tashmë të papunë kanë nga kartat e tyre të kreditit. Nga ana tjetër, industria gjermane e makinave ka filluar të rikthehet në gjendje krize pas disa muajsh bumi të shkaktuar nga programi i qeverisë në ndihmë të qytetarëve që dëshirojnë të blejnë një makinë të re. Programi i qeverisë i jepte 2500 euro çdo qytetari që shiste makinën e vjetër dhe blinte një të re. Programi kushtoi miliarda euro, por duket se po mbaron para se ekonomia të kthehet në normalitet.

Edhe qeveria shqiptare i ka varur shpresat te përmirësimi i ekonomisë dhe financave botërore rreth vitit 2010, me qëllim që të emetojë eurobonde për të zëvendësuar kreditë me interesa zhvatëse që mori këtë vit. Por analizat e Bankës Qendrore Europiane paralajmërojnë se së paku deri në vitin 2010, bankat e eurozonës do të vijojnë të vuajnë humbje të konsiderueshme nga kreditë e pakthyera. Në rast se financat botërore nuk stabilizohen, qeveria shqiptare do të detyrohet të paguajë interesa borxhi prej 25-30 milionë eurosh në vit vetëm për kredinë prej 250 milionë eurosh që mori në maj. Shpresa e qeverisë ishte që kredia me interes euribor plus 9.65 për qind të zëvendësohej me eurobonde që do të kushtonin dy herë më pak.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›