Jeta e pacientëve, në një dokumentar
Në një dokumentar 15-minutësh janë përshkruar jetët e 12 pacientëve të spitalit psikiatrik të Elbasanit. Për ta është ngritur një shtëpi e posaçme në Cërrik, e para në llojin e saj në Shqipëri. Ajo është mbështetur nga përpjekje të përbashkëta të një ekipi të madh profesionistësh të shëndetit mendor të Rrethit të Elbasanit. Kjo nismë u mundësua nëpërmjet financimeve nga qeveritë suedeze dhe irlandeze, mbështetja e të cilave përgjatë viteve të fundit bëri të mundur, që OBSH të asistojë Ministrinë e Shëndetësisë në ndërmarrjen e një reforme komplekse të shëndetit mendor në Shqipëri. Në këtë shtëpi gjejnë strehë ish-pacientë të spitalit psikiatrik të Elbasanit. Më pak se një vit pas hapjes së saj në mars të vitit 2008, 4 nga 12 pacientët që trajtoheshin aty u kthyen në shtëpi pranë familjeve të tyre. E pikërisht në këtë dokumentar 15-minutësh tregohen historitë e këtyre njerëzve që mundën të riintegrohen në familjet e tyre.