E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura shtetërore, Formulari A2, peng i mbledhjes së qeverisë

Formulari A2 ku maturantët do të rendisin preferencat e tyre për studimet e larta universitare duket se do të mbetet peng i qeverisë. Kjo për shkak të faktit se ai nuk mund të shpërndahet për të rinjtë në rast se Këshilli i Ministrave nuk miraton kuotat e pranimit në universitetet publike në vend. Gjithashtu, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është e detyrueshme që të kalojnë për të aprovuar edhe degët e reja të shtuara në institucionet e arsimit të lartë publik.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit konfirmojnë faktin se kuotat e pranimit në universitete, si dhe degët e reja të propozuara prej shkollave të larta publike, tashmë janë dorëzuar pranë qeverisë për të marrë edhe aprovimin e tyre. Shansi i vetëm që ato të miratohen është mbledhja e fundit e qeverisë që pritet të mbahet këtë javë, vetëm pak ditë përpara datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do t‘i vendosin edhe emrin qeverisë së re. E nëse kuotat dhe degët nuk arrijnë që të hyjnë në axhendën e ngjeshur zgjedhore të Këshillit të Ministrave edhe në mbledhjen e fundit të tij, atëherë rreth 45 mijë të rinj do të duhet që të presin qeverinë e re, për të kuptuar se çfarë degësh do të zgjedhin për të fituar të drejtat universitare të studimit.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit garantuan pak kohë më parë, se formulari A2 i sistemit meritë preferencë të maturës do të shpërndahet menjëherë pas publikimit të rezultateve të provimeve të detyruara të Letërsisë dhe të Matematikës. Ndërkohë që, dalja e këtij formulari pa përcaktuar më parë në të degët e reja në universitete, pa marrë pëlqimin e qeverisë, do ta shndërronte atë në një copë letre të jashtëligjshme.

Nga ana tjetër, që maturantët të arrijnë të zgjedhin saktë dhe në mënyrë të mençur të ardhmen e tyre universitare kanë nevojë edhe për kuotat e pranimit në shkollat e larta. Kjo do t‘i krijonte atyre mundësinë që të bënin një përllogaritje të saktë të pikëve që mund të arrijnë në procesin e maturës shtetërore dhe aftësive që kanë për t‘u seleksionuar në degën e preferuar.

Aktualisht, të rinjtë kandidatë për në universitete njihen vetëm me notën e provimit të letërsisë, atë të katër viteve të shkollës, si dhe koeficentët sipas profileve të shkollave. Ata janë në pritje të daljes së rezultateve të provimit të matematikës. Ndërsa për të gjitha të dhënat finale që llogarisin pikët e tyre në total, mbeten edhe të dhënat e fundit, dy notat që do të marrin në provimet e lëndëve me zgjedhje. Këto të fundit do të zhvillohen në të njëjtën ditë, në të gjithë vendin, më 10 korrik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›