E Shtunë, 31 Tetor 2026

S‘ka karantinë për gripin e derrit

Edhe pse ndodhemi në muajin shtator, kur "zyrtarisht" gripi i derrit duhet të përhapet edhe më shumë se në stinën e verës, masat për mbrojtje dhe përballim të situatës ende nuk kanë përfunduar. Planit, për të cilin u fol në korrik, për marrjen e masave dhe krijimin e dhomave të izolimit për secilin nga shërbimet kryesore në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", po i jepet dora e fundit. Ndërsa fluksi i pacientëve me viroza të stinës, në mënyrë të veçantë sëmundjet respiratore sa vjen dhe shtohet në Shërbimin e Infektivit, shtretërit e "karantinës" janë të paktë në numër. Reanimacioni i Infektivit ende nuk ka mbaruar rikonstruksionin. Sipas Drejtorisë së QSUT-së, përurimi i këtij shërbimi do të bëhet në muajin tetor. Deri atëherë shërbimi ka krijuar një pavijon për të pritur rastet urgjente, apo për të izoluar ndonjë të dyshuar të formës së rëndë të AH1N1. Konkretisht deri tani, pacientët e konfirmuar me gripin e derrit janë diagnostikuar, kanë kryer analizat, kanë marrë mjekimin dhe më pas janë larguar në shtëpi. Pacientët janë rikthyer në pavijon disa herë, sipas protokollit të mjekimit për të parë ecurinë e përmirësimit të gjendjes shëndetësore. i vetmi pacient që ka qëndruar në karantinë është 45-vjeçari, i cili u izolua në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive, "Shefqet Ndroqi".

Izolimi

"Aktualisht shërbimi ynë i reanimacionit është një nga më të mirët ndër vendet e rajonit, personeli i mjekëve është i kualifikuar. Reanimacioni ndodhet në rikonstruksion dhe do të përfundojë në muajin tetor, kapaciteti i tij do të jetë 4 shtretër", tha shefi i Shërbimit të Infektivit, Dhimitër Kraja. Sipas tij, ky kapacitet do të jetë i mjaftueshëm duke qenë se një projekt i ri do të sjellë edhe 9 shtretër të rinj në dispozicion të pacientëve që do të kërkojnë ndihmë në Infektiv.

"Në projekt kemi ngritjen e një njësie të re, e cila do të jetë dhomë oksigjenimi, do të ketë një kapacitet prej 9 shtretërish dhe me vendosjen në punë të saj, mund të themi se janë mjaftueshëm. Veç kësaj Pavijoni i Reumatologjisë dhe ai i Alergologjisë kanë hapësira për krijimin e dhomave të izolimit", sqaroi Kraja. Sipas tij, edhe shërbimet e tjera kanë pjesë të planit që, nëse pacientët me probleme të tjera shëndetësore të cilët shtrohen në shërbime të tjera, nuk do të transportohen në infektiv, por do t‘i krijohen kushte izolimi. Sakaq, spitalet e vendit, qendrat shëndetësore duhet të kishin gati dhomat e izolimit si dhe krijimin e magazinës me materiale dhe pajisje mbrojtëse.

Trajtimi i AH1N1

Një pacient me probleme të gripit paraqitet menjëherë në qendrën shëndetësore, në spital apo në Shërbimin e Infektivit. Më pas diagnostikohet menjëherë, merr mjekimin e duhur dhe kryen ekzaminimet. Në varësi të gjendjes shëndetësor, edhe duke zbatuar protokollin e mjekimit, specialistët japim trajtimin dhe presin për reagimin e organizmit të pacientit. Në rast se ai paraqet komplikacione dhe rezultatet e analizave konfirmojnë se pacienti mund të jetë i prekur nga gripi i derrit, atëherë ai vendoset në izolim. Deri tani, në vendin tonë janë konfirmuar 30 raste të prekura me grip derri. Ndërsa 9 të tjerë janë të dyshuar, përgjigjja nga laboratori i Rumanisë do të konfirmojë nëse janë bartës të AH1N1 apo jo. Një nga 30 pacientët e prekur u izolua pak kohë më parë në spitalin e sanatoriumit, pasi gjendj shëndetësore ishte e rënduar. Katër ditë pas izolimit, pacienti doli jashtë rrezikut për jetën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›