E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana me kufizime të orareve të ujit të pijshëm

Duke nisur nga muaji gusht e deri dje, banorët e kryeqytetit kanë pasur probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Prej javësh në kryeqytet uji nuk vjen në oraret përkatëse, të afishuara nga drejtoria e Kanalizimeve. Ka ditë që uji mbërrin në çezmë një herë në 24 orë ose edhe pas dy ditësh. Ditë të tjera oraret e furnizimit janë të çrregullta, njëherë në orët e para të mëngjesit, një herë në drekë me kohëzgjatje të shkurtër, një herë në çezmë ka vetëm një curril të hollë uji, me të cilin është e pamundur të mbushësh edhe kovën për të larë dyshemenë.

Banorët prej ditësh janë ankuar pranë drejtorisë së ujësjellës kanalizimeve dhe menjëherë kanë marrë përgjigje se: oraret e furnizimit të ujit të pijshëm janë ato që kanë qenë, në mëngjes, në drekë, në darkë, probleme mund të kenë pasur zona të caktuara. Pa ujë 24 orë mund të ketë vetëm raste të veçanta, blloqe banimi të klasifikuara si raste sporadike.

Kufizimet

Kryeqyteti në këtë kohë ka kërkesë të lartë për konsum të ujit të pijshëm, temperaturat dhe ky konsum sjellin probleme në furnizim. Të ndodhur në këto kushte, specialistët e Drejtorisë së Kanalizimeve u duhet të manovrojnë. Gjithsesi, sipas tyre kjo periudhë është pak problematike, pasi pavarësisht kapaciteteve të depove të ujit, konsumi dhe temperaturat, rënia e rrallë e reshjeve krijon edhe ndonjë problem tek-tuk.

"Nuk ka probleme me furnizimin me ujë. Furnizimi është i rregullt, bëhet tre herë në ditë. kemi pasur ndonjë problem në zonën e rrugës së Kavajës por që është sistemuar. Raste të tjera problematike janë me prioritet dhe po rregullohen. Duhet vendosur në dukje fakti se në këtë kohë kërkesa për konsum është tepër e lartë", tha Ferdinant Petrela, Drejtori i Drejtorisë së ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. Sipas tij, probleme me furnizimin e ujit në disa zona janë zgjidhur duke bërë manovrime dhe duke zbatuar teknika specifike, të cilat njihen me emrin "teknika të lehta". Ndërkohë që sapo zona të caktuara janë ankuar për mungesa të ujit, menjëherë janë marrë masat e duhura.

Sipas banorëve të kryeqytetit, kur në disa zona nuk ka ujë, ka në disa të tjera, uji lëshohet, pritet apo kufizohet në mënyrë që të furnizohen të gjitha zonat e kryeqytetit të paktën 1 ose 2 herë në ditë.

Problemet

Aktualisht niveli i ujëmbledhësit në Bovillë është 316 metër kub. Specialistët sqarojnë se ka pasur shembje dherash në një pjesë të liqenit dhe pritet të nisë menjëherë puna për stabilizimin e situatës. Kjo ka sjellë që niveli i ujit këtu të ulet me 2 metra.

Specialistët e Drejtorisë së ujësjellësit sqarojnë se edhe nëse nuk do të kemi reshje shiu Tirana do të ketë furnizim me ujë deri në dhjetor, por me ndërprerje.

Lidhjet e paligjshme të cilat janë shtrirë në pjesën periferike të kryeqytetit shpërdorojnë një sasi të madhe uji, e cila nuk arrin të grumbullohet në depot e ujit, edhe në këtë periudhë thatësire.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›