Kontrabandë nga Kina, një doganier në pranga
Tiranë- Një doganier dhe dy tregtarë kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohen se kanë kaluar një sasi të madhe mallrash kontrabandë, duke shmangur detyrimet doganore. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se ka qenë një operacion i Drejtorisë Kundër Krimit Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë, që çoi në pranga 3 personat e akuzuar për kontrabandë të mallrave nga Kina. “Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi i Fitim Mezini, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier i Kontrollit Fizik në Degën e Doganës Tiranë; Huzri Hoxha, 49 vjeç, banues në Fushë Mëzez Tiranë, me detyrë administrator i shoqërisë “Pro Gips”, sh.p.k si dhe Gëzim Alushi, 41 vjeç, banues në Tiranë, tregtar i një subjekti privat”, – bën të ditur zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, me anë të një njoftimi për shtyp. Në bazë të verifikimeve të kryera deri më tani, mësohet se arrestimi i këtyre personave u krye, pasi gjatë procedurave të importimit të një kontenieri me konfeksione nga Kina, dyshohet se kanë kaluar kontrabandë nëpërmjet degës së Doganës Tiranë, rreth 40 % të sasisë së mallrave të importuara. Mësohet se dy biznesmenët, në bashkëpunim me doganierin, kanë arritur të kalojnë një pjesë të veshjeve, të cilat vinin nga Kina, duke shmangur një pjesë të detyrimit që u takonte për të paguar për gjithë kontenierin me veshje të importuar në Shqipëri. “Nga hetimet e kryera deri më tani, ka rezultuar se këto dy subjekte, zërat e mallrave të importuara nuk përputheshin me mallrat e zhdoganuara, si në sasi të mallrave, ashtu edhe në vlerë të tyre. Në lidhje me këtë çështje, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një konternier me konfeksione veshjesh, si dhe automjetet me targë TR 5771 S dhe TR 7865 I”, – bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Por, të njëjtat burime bëjnë të ditur se operacioni i strukturave Kundër Krimit Ekonomik Financiar nuk është mbyllur vetëm me arrestimin e doganierit dhe dy biznesmenëve. Referuar të njëjtave burime, mësohet se janë duke vazhduar ende hetimet mbi të tjerë persona, të implikuar në këtë veprimtari të kundraligjshme. Materialet e përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “kontrabandës me mallra të tjera” dhe “kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.