E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boterori 2014 ne Brazil bileta ne kembim te armeve

Qeveritë e ndryshme ndërmarrin iniciativa, shpesh herë edhe të pazakonta, për të ulur kriminalitetin dhe numrin e viktimave nga armët e zjarrit. Edhe në Brazil, në kuadër të Botërorit 2014 të futbollit po studiohet një fushatë e tillë, duke i ofruar ulje në çmimin e biletave, të gjithë atyre personave që do të dorëzojnë pistoletat apo pushkët.

FIFA po e shqyrton me kujdes projektin që I është paraqitur nga Ministria e Drejtësisë së vendit amerikano-jugor gjatë nëntorit të kaluar, që synon uljen e numrit të armëve që qarkullojnë. Megjithatë, drejtuesit e federatës ndërkombëtare të futbollit nuk janë optimistë. Kjo kuptohet lehtësisht nga batuta e sekretarit të përgjithshëm, Zherom Valke, i cili tha: “Fatkeqësisht në Brazil ka aq shumë armë, sa nuk mendoj se do të kemi një numër të mjaftueshëm biletash”.

Sipas një raporti të publikuar më së fundmi, numri i vrasjeve në Brazil është rritur me 124 për qind, ndërsa më tepër se një milionë persona kanë humbur jetën nga armët e zjarrit gjatë 30 viteve të fundit.

Në kuadrin e përgatitjeve për botërorin e ardhshëm, prej disa kohësh, policia braziliane në bashkëpunim me ushtrinë po pastrojnë lagjet nga kriminelët.

Një tjetër iniciativë për të luftuar kriminalitetin, por këtë herë më simbolike është e ashtuquajtura “Ligji I Kupës së Botës”. Bëhet fjalë për një sërë ligjesh që po përgatiten nga autoritetet braziliane, ku parashikohet riciklimi I pistoletave për të krijuar me to shtyllat e portave në stadiumet ku do të luhen ndeshjet e Botërorit 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›