E Diel, 1 Nëntor 2026

Botërori, dy “perla”të Suarez, Uruguajnë çerekfinale

JOHANESBURG- Uruguaj është bërë skuadra e parë çerekfinaliste e Kupës së Botës, pas fitores 2-1 ndaj Koresë së Jugut. Skuadra amerikano-jugore i është falur këmbëve të sulmuesit të Ajaksit Luis Suarez, autor i dy golave mjaft të bukur, ndërkohë që aziatikët treguan edhe njëherë se mbeten një ekip i rrezikshëm. Takimi i parë i të tetave të finales ka dhuruar emocione të shumta, por në fund klasi i lojtarëve të Uruguajt ka bërë diferencën.

Koreja e Jugut megjithatë është larguar me kokën lart nga turneu, pasi arriti të kalojë grupin dhe të mundet vetëm në 10 minutat e fundit nga një skuadër që të paktën në letër, është më e mirë. Ndeshja menjëherë me gol për Uruguajn dhe autori ishte Luis Suarez. Avantazhi i bëri amerikano-jugorët më të qetë, ndërsa skuadra aziatike ka marrë shumë shpejt frenat e lojës në dorë. 

Pas përpjekjesh të shumta, Koreja e Jugut arriti të barazonte në minutën e 68-të me Li Çun-Jong, i cili me kokë mposhti portierin Muslera. Ndeshja dukej se po shkonte drejt barazimit, por 10 minuta para fundit, Luis Suarez realizoi golin e fitores, me një goditje perfekte nga kufijtë e zonës. Parabola e tij u përplas në shtyllë dhe përfundoi në rrjetë, duke nxjerrë jashtë Botërorit koreano-jugorët.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezultatet live ne faqen e FIFA-s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›