Botërori i klubeve, kompeticion unik

Në prag të debutimit në FIFA Club World Cup 2010 (Botërori i klubeve), ku Inter do të luajë kundër ekipit jug-korean Seongnam, Diego Milito ishte pjesë e konferencës për shtyp e organizuar nga FIFA, në stadiumin ‘Zayed Sports City’ në Abu Dhabi. Sulmuesi argjentinas thotë se Nerazzurrët duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë kompeticion, të cilin e vlerëson unik për të gjithë.
“Ky turne është unik, sepse nuk e di nëse do të luash më ndonjëherë në karrierë. Do të mundohemi ta shijojmë dhe ta arrijmë një synim të rëndësishëm, në të cilin besojmë shumë”, theksoi fillimisht Milito, i cili ishte njëri ndër më të merituar në suksesin e trefishtë të Interit, sezonin që shkoi.
Ish futbollisti i Genoas dhe Zaragosës, këtë sezon nuk qëndroi mirë me gjendjen fizike, por ai tash ndihet mirë. “Po stërvitem me ekipin që më shumë se një javë. Jam i kënaqur. Jemi përgatitur dhe kemi dëshirë të madhe për të luajtur mirë nesër (të mërkurën)”, shtoi ai. Milito insiston se do të japë gjithçka për të fituar, pa marrë parasysh se a shënon gol apo jo. Për të, më me rëndësi është suksesi i skuadrës.