E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori i shtrenjtë

Sipas një sondazhi nga Reuters/Ipsos, dy të tretat e tifozëve të futbollit në 23 shtete mendojnë se Kampionati botëror në Afrikën e Jugut është bërë shumë i shtrenjtë për ta shijuar.

Të premten nikoqiri, Afrika e Jugut e hapi garën me barazim 1-1 kundër Meksikës, por shumë tifozë afrikanë nuk kishin mundësi të paguajnë biletat për të përcjellë ndeshjen në stadium dhe u desh ta shikojnë takimin në ekranet e mëdha që janë vendosur në parqet publike.

Në një sondazh prej më tepër se 12 mijë tifozëve në 23 shtete, afro 65 për qind kanë thënë se biletat e ndeshjeve janë të shtrenjta për një tifoz të rëndomtë. Në një sondazh tjetër më tepër se 2,500 afrikano-jugorë (78 për qind) u pajtuan me këtë mendim.

FIFA ishte kritikuar për sistemin e shitjes fillestare online që përjashtoi afrikano-jugorët e varfër, të cilët nuk kishin qasje në internet.

Federata Botërore e Futbollit pastaj hapi qendrat e shitjeve të biletave, por shumë tifozë nuk arritën të gjejnë biletat për tri ndeshjet e Afrikës së Jugut në fazën e grupeve. “Jam nga Afrika e Jugut, por nuk kam gjetur biletë për t’i parë duke luajtur”, u ankua tifozi Eli Motau.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›