E Diel, 1 Nëntor 2026

Khune kërkon vuvuzela më të fuqishme

Futbollistët në fushë vështirë se mund ta dëgjojnë njëri-tjetrin e aq më tepër instruksionet e trajnerëve. Të tjerët që përcjellin ndeshjet në televizion ia zvogëlojnë zërin sepse vuvuzela është e fuqishme. Mirëpo, për një njeri nuk është e tillë.

Në ndeshjen e parë të Grupit A mes nikoqirit Afrikës së Jugut dhe Meksikës (1-1), portieri i nikoqirit Itumeleng Khune ka thënë se vuvuzelat nuk janë dëgjuar mjaft. “Jam i zhgënjyer sepse nuk kam dëgjuar zhurmë të mjaftueshme të vuvuzelave, por shpresoj se në ndeshjen e ardhshme tifozët do t’u fryjnë më fort”, tha Khune.

Dikush mund të mendojë se Khune ka nevojë për kontrollim të veshëve, pasi 84.490 tifozët e pranishëm në stadium kanë fryrë vuvuzelat duke krijuar atmosferë të pazakonshme, sidomos për futbollistët e huaj që nuk janë mësuar në zhurmë të tillë. Mirëpo, Khune kërkon më tepër.

“Tifozët me vuvuzela duhet të jenë futbollisti ynë i 12-të. Shpresojmë që në ndeshjen e ardhshme (kundër Uruguait më 16 qershor në Pretoria) do të jetë ndryshe”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›