Botërori i vrapimit në Shqipëri

Të dielën Tirana do të përjetojë një ngjarje të madhe. Me qindra atletë do të pushtojnë bulevardin e saj dhe pastaj kodrat mbi Liqenin Articial për të marrë pjesë në kampionatin botëror të vrapimit në mal, duke qenë kjo hera e parë që vendi ynë organizon një aktivitet të nivelit planetar.
Presidenti i Shoqatës Botërore të Vrapimit në Mal, Bruno Gocelino, ndodhet vetë në kryeqytetin shqiptar, qendra më e rëndësishme për të, për momentin.
“Jam këtu për kampionatin botëror të vrapimit në mal, edicioni i 27-të dhe që mbahet për herë të parë në Shqipëri. Ky është një rast i madh për Shqipërinë për të reklamuar veten dhe për të treguar se çfarë është në gjendje që të bëjë. Pres që të jenë mbi 500 pjesëmarrës nga 35 vende të botës dhe pres që banorët e Tiranës ta ndjekin garën direkt ose në televizor. Ne po punojmë për të bërë gati shtegun ku do të zhvillohet vrapimi. Gjithnjë ka gjëra që mund të përmirësohen, por unë jam i bindur se do të kemi sukses”., ka thënë Bruno Gocelino.
Disa fjalë për të zotët e shtëpisë dhe për rëndësinë që ky aktivitet i madh ka për Shqipërinë.
“Shpresoj që kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, të jetë i pranishëm në ceremoninë e hapjes që do të mbahet të dielën në bulevardin e Tiranës. Unë mendoj se ai u tregua shumë inteligjent që e kuptoi rëndësinë e këtij kampionati dhe e ndihmoi atë. Duhet të falënderoj presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, pa të cilin nuk do të ishim sot këtu. Përveç aspektit sportiv dhe turistik, rëndësia e botërorit është e madhe për lidhjen me natyrën dhe nxitjen për ta mbrojtur atë”, tha më tej Bruno Gocelino.
Ashtu siç thotë Gocelino, botërori besohet të jetë një sukses. Po ashtu, një dallëndyshe që të sjellë një pranverë më të qëndrueshme për sportet shqiptare. /abcnews/